Grenell kërkon nga Serbia të ndalojë fushatën lobuese kundër Kosovës

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pas takimit që e ka pasur me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa deklaroi edhe një herë se ata nuk janë të interesuar të ndërhyjnë në formimin e qeverisë, por janë të interesuar të shtyjnë përpara zhvillimin ekonomik në Kosovë.

Grenell edhe nga selia e LDK-së, para gazetarëve kërkoi largimin e taksës 100 përqind ndaj Serbisë, por theksoi se edhe kjo e fundit duhet të ndërpret fushatën e dëmshme lobuese karshi Kosovës.

Diplomati amerikan tha se në Kosovë dëshirojnë të sjellin energji dhe ide pozitive që përqendrohen në krijimin e vendeve të reja të punës.

Ambasadori Grenell më herët gjatë ditës takoi edhe mandatarin për kryeministër, Albin Kurti, kurse dje është takuar me presidentin, Hashim Thaçi.

Grenell nesër pritët të shkojë në Serbi për t’u takuar me presidentin, Aleksandër Vuçiq.