Granit Xhaka beson se Emery i ka ndihmuar të përmirësohet

Granit Xhaka e ka lidhur startin e mirë të sezonit me ndikimin e trajnerit të Arsenalit, Unay Emery.

Ish lojtari i Monchengladbachut u kritikua shumë gjatë sezonit të kaluar nën drejtimin e Wengerit por gjatë këtij edicioni ka bërë një përmirësim të ndjeshëm me teknikun spanjoll.

Xhaka ka startuar në të gjitha ndeshjet e Arsenalit në Premier League dhe ka qenë një figurë qendrore në serinë e jashtëzakonshme të “The Gunners” prej 9 fitoreve radhazi në të gjitha kompeticionet.

“Në aspektin taktik më ka ndihmuar shumë Emery. Neve na u nevojit pak kohë për të kuptuar karakterin dhe filozofinë e trajnerit të ri.  Tani po shkon mirë por ne mundemi ende të përmirësohemi”, tha Xhaka për Daily Mail.

Arsenali rikthehet të luajë në Premier League me 22 tetor në udhëtimin te Leicesteri.