Granit Kolshi kërcënohet pas deklaratave për kurdisje

Ish-portieri i disa skuadrave të Kosovës, Granit Kolshi, ka marrë kërcënime nga persona të panjohur pas deklaratave për kurdisje të ndeshjeve në futbollin e Kosovës në emisionin “Sporti Total” të KTV-së. Kolshi është kërcënuar me disa mesazhe në Facebook, të cilat i posedon edhe redaksia e sportit në KOHA. Kolshi ka kërkuar që mesazhet të mos bëhen publike, por thotë se mesazhet kërcënuese do t’i deponojë edhe në Policinë e Kosovës. Ai ka theksuar se kërcënimet nuk e frikësojnë, por e bëjnë edhe më të fortë për ta ngritur zërin edhe më shumë ndaj parregullsive në futbollin kosovar. Ai edhe sot qëndron prapa fjalëve të tij që i tha të dielën mbrëma në emision.

“Pasi kam dhënë deklarata për kurdisje në emisionin ‘Sporti Total’ të KTV-së, të dielën, kam pranuar shumë mesazhe kërcënuese në Facebook nga shumë persona. Unë e kam thënë të vërtetën dhe i qëndroj asaj. Nuk e kuptoj pse e bëjnë këtë. Unë gjithmonë do të flas të vërtetën. E kuptoj që shumë klubeve nuk u pëlqen kjo dhe të gjithë futbollistët e dinë që çdo klub ka kurdisje dhe frikësohen për këtë arsye, pra nuk tregojnë të vërtetën sepse më vonë marrin kërcënime. Kjo është e vërteta. Mesazhet i kam ruajtur dhe shpejt do ta angazhoj ndonjë familjar timin për t’i dërguar në Policinë e Kosovës, nga të cilët pres t’i hetojnë se kush fshihet pas këtyre kërcënimeve. Mua nuk më frikësojnë kërcënimet, përkundrazi më rrisin forcën për të qenë zë edhe më i fuqishëm ndaj çdo parregullsie”, ka thënë Kolshi të mërkurën për KOHËN.

Në fakt, Kolshi në emisionin ‘Sporti Total’ të KTV-së të dielën nëpërmjet një lidhjeje të realizuar nga New yorku, ku edhe është duke jetuar, ka zbuluar trekëndëshin që sipas tij vendos për trofe këtë edicion në Superligën e Kosovës. Ai ka thënë se matematikat për fituesin e titullit dhe trofeun e Kupës po i bëjnë Prishtina, Llapi dhe Drita. Kolshi ka thënë se ka informata se Drita do të dalë kampione, Prishtina nënkampione ndërsa Llapi do ta fitojë Kupën e Kosovës. Liderin e ri Ballkanin e ka përjashtuar nga matematikat. Llapi është në finale të Kupës dhe përballë do ta ketë Dukagjinin e Ligës së Parë.

Kolshi i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë Prishtinën, Dritën dhe Llapin.

“Mua më kanë futur për t’ia dëshmuar tjerëve se Graniti nuk luan ndeshje të kurdisura, flas për ndeshjen Drita – Feronikeli. Kam pasur kërcënime, por nuk jam frikësuar, sepse e dini se sa shumë kam mbrojtur atë ndeshje. Për prokurorin dua t’i tregoj një gjë. Dua t’i them t’i kontrolloj këto tri ndeshje, edhe pse Ballkani nuk ka asnjë marrëveshje. Drita është kampione, Prishtina nënkampione, kurse Llapi fitues i Kupës”, tha Kolshi të dielën nga New yorku për emisionin ‘Sporti Total’ të KTV-së.

Kolshi ka vite që është duke jetuar në New york, ndërsa ai ka qenë i pari që ka denoncuar një ndeshje të kurdisur në futbollin kosovar. Bëhet fjalë për ndeshjen e vitit 2010 në mes Fushë Kosovës dhe Ulpianës në kuadër të kategorisë së dytë. Kolshi atëbotë ishte portier i skuadrës së Fushë Kosovës.

“Unë jam person që jam në rrjedha të futbollit të Kosovës. Kam parë çdo ndeshje prejse ka filluar ky edicion. Ndeshjet fundit po më fusin në dyshime edhe pse kjo ndeshje Drita – Prishtina i dha vulë. Llapi, Prishtina dhe Drita e kanë bërë kalkulimin kryesor se kush të dalë në Evropë e kush jo. Më së keqi po e pëson Ballkani. Ka matematika që nuk do t’i konvenojnë Ballkanit. Po bëhen vazhdimisht kurdisje të mëdha, nuk e di pse prokuroria nuk po merr masa. Ka edhe në Ligën e Parë”, ishin fjalët e Kolshit.

Kolshi tregoi të dielën se edhe më herët ka qenë i kërcënuar për deklarata të tilla. Mirëpo, ai insiston se ka mbështetjen e familjes.

“Vitin e kaluar çka ka ndodhur me Fushë Kosovën dhe javën e kaluar me ndeshjen Vushtrria kundër Vëllaznimit. E njëjta ka ndodhur si procedura e Fushës Kosovës. Fushë Kosova pse e ka futur një lojtar me katër kartonë e kanë larguar nga liga. Njëjtë ka ndodhur javën e kaluar në Vushtrri, kur Vëllaznimi ka marrë tri pikë. Po më habit pse nuk po merren për bazë këto. Nuk e di pse nuk po ngrihet një lojtar i Kosovës siç jam ngritur unë. Nuk e di pse kanë frikë. Unë kam qenë i kërcënuar, por falënderoj familjen e madhe që më ka përkrahur dhe unë nuk kam frikë. Unë e tregoj vetëm të vërtetën. Prokuroria dhe Federata duhet të marrin vendime më të forta”, ka thënë Kolshi.

Në fakt, akuza për kurdisje ka pasur edhe në të kaluarën nga shumë persona të klubeve të ndryshme, por që deri tash asnjë nuk është dënuar. Ka vetëm një aktakuzë të ngritur për ndeshjen Trepça – Fushë Kosova.