Grabitësi në Istog u ndihmua nga vëllai dhe kushëriri, arrestohen nga policia

Policia e Kosovës, në orët e mbrëmjes të së enjtes, ka bërë me dije se si rezultat i vazhdimit të hetimeve intensive, ka arritur t’i arrestojë edhe dy persona të dyshuar, të cilët dyshohet të kenë qenë të përfshirë në rastin e tentim grabitjes.

“Njëri nga personat e dyshuar tanimë të arrestuar (Y. M. ) është vëllai i të dyshuarit kryesor i vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa personi i dytë i arrestuar (U. M.) është i afërm i tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit të Policisë, njësitet relevante policore me urdhëresë të Prokurorisë kompetente kanë kryer bastisje në dy lokacione, me ç’rast kanë konfiskuar një veturë e cila dyshohet të jetë e përdorur në rast si dhe disa pajisje elektronike-telefona, të cilat do të shërbejnë si dëshmi.

“Me vendim të Prokurorit kompetent, personave të arrestuar iu është caktuar masa e ndalimit prej 48-orëve. Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në vazhdimin e hetimeve intensive lidhur me rastin”, thuhet në fund të njoftimit.