Goretzka në histori, Bayern përmbys Augsburgun me Coman dhe Alaba (VIDEO)

Bayern Munich ka vuajtur më shumë se duhet për të marrë fitoren në fushën e Augsburg, skuadër që mban vendin e 15-të në renditjen e Bundesliga-s.

Gjithsesi, kampionët në fuqi të Bundesliga-s kanë arritur të fitojnë 3-2 pasi e kanë parë veten dy herë në disavantazh dhe tani kanë shkuar dy pikë larg Dortmund-it kryesues, që do të luajë të hënën në transfertë kundër Nurnberg-ut të vendit të fundit.

Heroi i sfidës ka qenë Kingsley Coman, i cili ka realizuar dy gola (17′, 45+3′) dhe ka dhënë asistin për golin fitues të Alaba-s (53′). Hera e fundit që francezi kishte shënuar dy gola në një ndeshje të Bundesliga-s ka qenë kundër Hamburg-ut në shkurtin e 2017-ës.

Augsburg kaloi në avantazh pas 14 sekondash lojë falë një autogoli të Leon Goretzka-s, që ka qenë edhe autogoli i tretë i shënuar brenda minutës së parë në historinë e Bundesliga-s (i fundit ishte realizuar në gushtin e 1979-ës).

Goli i dytë i vendasve është realizuar nga Ji Dong-Won (23′) dhe ka qenë historik, duke parë se Augsburg nuk kishte shënuar asnjëherë më parë më shumë se një gol kundër Bayern-it në një ndeshje të kampionatit gjerman.