Gomezi e godet Gasperinin, i cili e akuzoi se s’po iu përshtatet ndryshimeve

Papu Gomez i ka reaguar Gian Piero Gasperinit përmes një seri videosh në rrjetet sociale, pasi trajneri i Atalantas e akuzoi sulmuesin argjentinas se nuk po iu përshtatet ndryshimeve në skuadër.

Gomez pritet të largohet nga Atalanta gjatë këtij afati kalimtar, pas mosmarrëveshjeve të mëdha me trajnerin Gasperini.

Gomez i ka zhvilluar vetëm 37 minuta lojë në Serie A që prej dhjetorit dhe Gasperini konfirmoi se marrëdhëniet mes tyre janë prishur përfundmishit, për shkak se argjentinasi nuk iu është përshtatur ndryshimeve të tij.

“Ishte vendim i diktuar nga faktorë të tjerë. U mor ky vendim sepse unë duhej ta gjeja një ekip tjetër”, tha Gasperini për Sky Sport.

“Ne po vuanin në caste të caktuara dhe Gomez nuk po iu përshtatej ndryshimeve, ai po vuante në mesfushë, ndërsa Remo Freuler ndihmon shumë më shumë”, shtoi ai.

Gomez i ka reaguar trajnerit të vet në Instagram, duke e publikuar një varg videosh në të cilat i thekson disa raste kur ishte kthyer mbrapa me vrap për t’iu ndihmuar mesfushorëve.

Sipas Sky Sport, Gomez është sqaruar me presidentin e Atalantas, Antonio Percassi, por marrëdhëniet e tij me Gasperinin nuk mund të ndreqen.

Atalanta nuk po pranon ta shesë Gomezin lirë në Serie A, por është e hapur ta bëjë një gjë të tillë jashtë Italisë.