NBA

Golden State, Oklahoma dhe Toronto nuk ndalen

Vijon forma fantastike e Golden State Warriors në NBA. Kampionët në fuqi regjistruan suksesin e 8-të radhazi dhe të 10-tin sezonal pasi kaluan pa shumë vështirësi në “Oracle Arena”, Memphis Grizliess me rezultatin 117-101.

Klay Thomspon ishte më i miri mbi parket për Warriors ndërsa edhe dy yjet e tjerë të Golden State, Kevin Durant dhe Steph Curry i bënë siç duhet detyrat e tyre pasi koleksionuan respektivisht 22 dhe 19 pikë.

5 fitore radhazi për Oklahoma City Thunder që edhe kur Rusell Westbrook nuk shfaqet në versionin e tij më të mirë ka se ku të mbështetet. Viktima e radhës për skuadrën e trajnerit Billy Donovan ishte New Orleans Pelicans që u mposht me shifrat 122-116.

Skuadra nga Louisiana është në krizë totale pasi pësoi disfatën e 6-të rresht, ndërkohë që në këtë sukses të Oklahomës një meritë të madhe e kishte dyshja Paul George-Denis Schroder pasi të dy sëbashku koleksionuan 48 pikë.

Nuk njeh limite në këtë sezon Denver Nuggets. 5 fitore radhazi dhe 9 në 10 ndeshjet e para për skuadrën nga Colorado.

Denver përmbysi 15 pikët disavantazh të periodës së parë duke triumfuar në fund me rezultatin 115-107 ndaj skuadrës më të titulluar të NBA, Boston Celtics. Thjeshtë fantastik Murray autori i 48 pikëve për Nuggets në këtë sfidë.

Grupi është forca më e madhe e Toronto Raptors që vazhdon të fitojë. Në udhëtim te Salt Lake City ndaj Utah Jazz skuadra kanadeze triumfoi me rezultatin 124-111 për meritë të lojës në grup, pasi plotë 6 basketbollistë të Torontos kapën një kuotë pikësh me dy shifra. Kjo ishte fitorja e 10-të në 11 takime gjatë këtij sezoni për Raptors që mbajnë të pashqetësuar vendin e parë në konferencën e Lindjes.

Rikthimi i James Harden ka ardhur në momentin e duhur për Houston Rockets. Skuadra teksane me mjekëroshin mbi parket mori fitoren e 3-të radhazi dhe të dytën që pas rikthimit të Harden pas atij starti katastrofik që i bëri sezonit. Në Indianapolis Indiana Pacers nuk i mjaftuan 28 pikët e Victor Oladipos me Harden që realizoi gjithashtu 28 pikë për t’i dhënë fitoren Houstonit 98-94.

Buzëqesh edhe Los Angeles Clippers që ka gjetur te dyshja Harris-Gallinari dy liderët e rinj. Falë 44 pikëve nga 22 secili të realizuar nga Harris e Gallinari, në Staples Center Clippers mposhti Minesotta Timberwolves me rezultat 120-109.