Golden Eagle Ylli fiton me epërsi të ngushtë duelin ndaj Sigal Prishtinës

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës në udhëtim 70-72 (25:21, 23:12, 14:24, 8:15), në kuadër të javës së 11-të në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.

Pas një fillimi të baraspeshuar në pesë minutat e parë, vendasit fillojnë shkëputjen, duke pasur epërsi në dhjetë pikë, 25:15, por gjashtë pikë radhazi nga mysafirët bënë që çereku i parë të përfundojë me shifrat 25:21.

Therandasit vazhduan me lojë të mirë për të kaluar në epërsi 25:26, por nga ky moment fillon rikthimi i kryeqytetasve, që shkuan deri në 16 pikë epërsi 48:32, ndërsa pjesa e parë përfundon me shifrat 48-33.

Epërsia më e lartë e bardhekaltërve shkoi deri në 20 pikë, 53:33, por kampionët e Kosovës nuk u dorëzuan dhe filluan dalëngadalë të shkrijnë epërsinë, ku rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 62:57.

Lojë interesante u zhvillua në dhjetë minutat e fundit, ku në çastet vendimtare më të vëmendshëm u treguan therandasit që fituan 70-72, edhe pse luajtën pa Gëzim Morinën dhe Erjonin Kastratin, të lënduar për këtë përballje.

Te Sigal Prishtina u dalluan Muhamedali Janjeva me 12 pikë e 11 kërcime dhe Nick Tomsick me 21 pikë, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Berret Benson me 20 pikë e 11 kërcime dhe Mikaile Tmusiq me 25 pikë.

Sigal Prishtina ka gjashtë fitore dhe pesë humbje, kurse Golden Eagle Ylli ka tetë fitore dhe katër humbje.