Ognjen Gogiq

Gogiq: Kallas do ketë marrëdhënie më të mira se Borrell me Kosovën

Ardhja në krye të diplomacisë evropiane të Kryeministres aktuale të Estonisë, Kaja Kallas, sipas politologut serb nga Veriu i Kosovës, Ognjen Gogiq, nuk do të sjellë ndonjë lajm të madh sa i përket rajonit, por se ka vlerësuar se ajo do të ketë marrëdhënie më të mira me krerët institucionalë në Prishtinë sesa paraardhësi i saj.

Gogiç ka theksuar se Kallas, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, do t’ia lërë ndërmjetësit, atij që do ta zëvendësojë sllovakun Miroslav Lajçak.

“Nëse e krahasoj atë me Catherine Ashton dhe Federica Mogherini, të cilat ishin gjithashtu paraardhëse në këtë pozicion, në atë kohë nuk kishte tema të tjera të rëndësishme të politikës së jashtme dhe Kaja Kallas do të ketë ende prioritete të tjera, mbi të gjitha lufta në Ukrainë dhe Gaza, me të cilat ajo do të duhet të merret me pjesën më të madhe të kohës së saj të punës”, ka thënë Gogiq.

“Kallas nuk do të sjellë ndonjë lajm të madh përveç se do të ketë raporte më të mira me përfaqësuesit e Prishtinës. Si kryeministre e Estonisë ka pasur takime me Kurtin dhe Osmanin dhe në përgjithësi janë shkëmbyer mesazhe të ngrohta, që është një ndryshim i madh në krahasim me Borrell-in, i cili u ndesh menjëherë me dyshime nga Prishtina, pasi edhe ai si Lajçak-u vjen nga një vend që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur”, pohon politologu për median serbe me seli në Kosovë “KosovoOnline”.

Në vlerësimin e tij, qasja e BE-së ndaj dialogut “nuk varet” nga Përfaqësuesi i Lartë, dhe ai nuk është përcaktuesi i pritshmërive të BE-së për dialogun, “por se kjo bëhet kryesisht nga Këshilli i BE-së, që udhëheq politikën e jashtme të BE-së”.

“Kur përfaqësuesit e lartë Mogherini dhe Ashton udhëhoqën negociatat, Angela Merkel ishte në fakt pas kësaj me autoritetin e saj politik. Pra, përfaqësuesit e lartë janë ekzekutorë ose operativë që zbatojnë politikën e përcaktuar nga shtetet anëtare individualisht”.

“Janë ata që vazhdojnë të luajnë një rol kyç në përcaktimin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Kur Borrell e mori atë post, në fillim ai nuk kishte udhëzime të qarta nga vendet e BE-së se në cilin drejtim duhet të shkonte dialogu, ndërsa Macron dhe Scholz nuk e përcaktuan planin e tyre franko-gjerman, i cili u bë propozim evropian dhe që u miratua më vonë në formën e një marrëveshjeje nga Brukseli dhe Ohri”, shtoi.

Dhe këtu përsëri, në prizmin e Gogiç-it, Borrell nuk ka qenë ai që ka përcaktuar kornizën, por ka zbatuar atë që i është dhënë.

Ai potencon se Ashton dhe Mogherini patën më shumë sukses në të gjitha këto se Borrell për disa arsye, “e para prej të cilave është se Angela Merkel qëndroi pas tyre, por edhe sepse atëherë, siç duket, çështjet ishin më të thjeshta, më shumë teknike sesa politike”.

“Po ashtu, atëherë perspektiva e anëtarësimit të këtij rajoni në BE ishte më e qartë, kështu që Beogradi dhe Prishtina ishin më të interesuar për përmbushjen e obligimeve të tyre. Borrell nuk kishte llojin e stimujve që mund t’u ofronte palëve, dhe kështu dialogu u ndal. Nuk varej kryesisht nga ai, ashtu siç nuk do të varet as nga Kallas”, pohon ai ndër të tjera.