Goga mposht Tiranën në çerekfinalen e Ligës Unike

Goga Basket është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës Unike pasi triumfoi ndaj skuadrës së Tiranës në ndeshjen çerekfinale.

Dueli i luajtur të mërkurën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, përfundoi me rezultatin 76:67 në të mirë të ekipit Goga Basket.

Qendra Endrit Hysenagolli ishte më i merituari për këtë fitore pasi ishte më efikasi te Goga Basketi.

Hysenagolli e mbylli ndeshjen me 15 pikë e tetë kërcime derisa amerikani Theron Bussey shtoi 14 pikë, dy kërcime e tri asistime.

Te Tirana, u veçua Nazareno Coco me 15 pikë, tri kërcime e katër asistime derisa Eldi Hysa e Erin Hasani shtuan nga 12 pikë për kokë por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen.

Goga Basket bëhet ekipi i tretë që u kualifikua në gjysmëfinale të Ligës Unike që startoi të martën. Më herët, janë kualifikuar edhe Rahoveci e Peja.