“Goditni më shumë. Goditni fort. Goditni tani”, thirrje për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i ka bërë thirrje Perëndimit të ashpërsojë sanksionet kundër Rusisë, transmeton Reporteri.net.

Dje, SHBA-ja dhe Britania e Madhe njoftuan për sanksionet e para kundër Rusisë.

“Hapat vendimtarë u ndërmorën dje dhe u jemi shumë mirënjohës. Tani presioni duhet të rritet për të parandaluar Putinin. Goditi ekonominë e tij dhe miqtë e tij. Goditni më shumë. Goditni fort. Goditni tani”, ka shkruan Kuleba në Twitter.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpalli një varg sanksionesh kundër Rusisë, një ditë pasi presidenti i këtij vendi, Vladimir Putin, mori vendim për t’i njohur rajonet separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura dhe urdhëroi dërgimin e trupave atje.

”SHBA-ja beson se Rusia është agresor i qartë në tensionet me Ukrainën”, tha Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.

Më herët, edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan vendosjen e sanksioneve ndaj disa zyrtarëve rusë, për shkak të ndërhyrjeve në Ukrainë.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se pakoja e sanksioneve “do ta dëmtojë Rusinë dhe do ta dëmtojë shumë”.

Rusia është nën sanksionet e Perëndimit qëkur ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014. Në atë kohë, ajo ka nisur edhe mbështetjen për një lëvizje separatiste në lindje të Ukrainës.