Diego Godin e ka akuzuar Cristiano Ronaldon për mungesë respekti, veçanërisht për mënyrën e festimit të fundit ndaj Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve dhe për veprimet e tij sa ishte në Real Madrid.

Sulmuesi portugez është përballur kokë me kokë me mbrojtësin uruguaian vazhdimisht përgjatë viteve.

Gara e fundit ku Ronaldo dhe Godin u takuan ishte faza e 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar. Atletico e kishte fituar ndeshjen e parë 2-0 në shtëpi. Pas rezultatit final, trajneri Diego Simeone kishte festuar në drejtim të tifozëve të vet duke i kapur me dorë organet gjenitale.

Por, në ndeshjen e kthimit, superylli portugez shënoi het-trik duke e eliminua Atleticon dhe e përsëriti festimin e Simeones.

Dallimi tani ishte se Ronaldo i ishte drejtuar tifozëve kundërshtarë, sipas Godinit, i cili këtë verë iu bashkua Interit nga Atletico.

“Il Cholo (Simeone) iu kthye tifozëve të vet dhe tensioni i kishte bërë të festonte ashtu. Ai nuk e kishte me Juventusin”, tha Godin.

“Gjesti i Ronaldos ishte ndryshe, ai nuk i respektoi njerëzit. Çfarë ndodh në fushë ndodh në fushë dhe nuk më pëlqen të flasë për atë. Por nuk më pëlqen as kur njerëzit nuk tregojnë respekt”, shtoi ai.