“Goal” shkruan për Kosovën, “ngritja e Kosovës në futboll para ndeshjes më të rëndësishme”

Faqja online që i dedikohet futbollit dhe që njëherëshit është faqja më e madhe në botë që i dedikohet këtij sporti, “Goal”, ka shkruar sot për suksesin e Kosovës në Ligën e Kombeve.

“Goal” ka theksuar faktin se Kosova u anëtarësua në organizatat e FIFA-së dhe UEFA-së vetëm në maj të vitit 2016, teksa i është afruar arritjes më të madhe në futbollin ndërkombëtar, duke iu referuar ndeshjes së sontme që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” përballë Azerbajxhanit.

Gjithashtu “Goal” ka përmendur moshën e re të futbollistëve të Kosovës, me vetëm dy lojtarë që e kalojnë moshën 26 vjeçare, teksa 7 futbollistë tjerë janë në moshën 21 vjeçare e më poshtë.

Sipas “Goal”, Kosova ka shumë potencial dhe pavarësisht mungesës së përvojës ka arritur të kryesojë grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve duke mos u mposhtur asnjëherë, teksa në përballjen me Azerbajxhanin do të mjaftonte edhe barazimi për të siguruar biletën për në Final Four, ku pastaj do të synohej kualifikimi historik për në Kampionatin Europian.

“Goal” ka intervistuar edhe dy reprezentuesit e Kosovës, Besar Halimin dhe Donis Avdiajn që i kanë dhënë përshypjet e tyre për grumbullimin me “Dardanët”.

“Diçka e madhe mund të ndodhë në Kosovë. Ne jemi shumë euforikë, dhe njerëzit këtu do të çmenden nëse arrijmë suksese. Ndeshja kundër Azerbajxhanit do të jetë ndeshja më e rëndësishme në historinë tonë. Barazimi na mjafton por këtu të gjithë presin që ne të fitojmë dhe pastaj të festojmë”, deklaroi Halimi.

Të njejtin vetbesim e ndanë edhe ish sulmuesi i Schalkes, Donis Avdiaj i cili shënoi dy gola në fitoren e thellë të Kosovës ndaj Maltës të shtunën e kaluar.

“Për shumë njerëz në Kosovë, futbolli do të thotë gjithçka. Fitorja jonë i bënë ata shumë krenarë. Biletat për ndeshjen ndaj Azerbajxhanit u shitën pas vetëm 32 minutave. Kërkesat ishin aq të mëdha sa që nuk arritëm të gjejmë bileta edhe për familjarët tanë. Ne kemi shumë talentë dhe besoj se skuadra jonë ka potencial që në të ardhmen të jetë protagoniste”, u shpreh Avdiaj.

Ndeshja Kosova-Azerbajxhani zhillohet sonte në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim prej orës 20:45