Pejë

Gjykimi për vrasjen në Kryshec të Pejës, ekspertiza mjekoligjore kthehet në plotësim dhe propozohen dëshmitarë të rinj

Në seancën e së premtes, ku për vrasjen e tani të ndjerit I.G., po akuzohet Janifer Gashi, u propozuan dëshmitarë të rinj nga mbrojtja si dhe u dërgua në plotësim ekspertiza mjekoligjore.

Janifer Gashi akuzohet se më 28 qershor 2022, në fshatin Kryshec, Komuna e Pejës, para lokalit “Shelnja” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit I.G, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.G, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Jeton Osmani, kishte bërë parashtresë me kërkesën për dëgjimin e disa dëshmitarëve me arsyetimin se gjykatës t’i sqarojnë direkt me rrjedhën e ngjarjes para ndodhjes së rastit, gjatë ndodhjes së rastit në lokalin “Shelnja”, si dhe mjekët që kanë trajtuar të ndjerin pas plagëve të marra në incidentin e ndodhur në atë lokal.

Ai më pas sqaroi për gjykatën për secilin nga dëshmitar arsyet e dëshmisë së tyre, si dhe kërkoi që të bëhet plotësimi i ekspertizës mjekoligjore.

Lidhur me propozimet e mbrojtësit, prokurorja Sahide Gashi, i refuzoi në tërësi me arsyetimin se aludimet e mbrojtësit shkojnë në nxjerrjen apo dyshimin në trajtimin e tani të ndjerit I., dhe të gjitha ekipeve mjekësore nga Spitali Rajonal në Pejë, e gjer tek ekipi profesional në SHSKUK.

Ajo nuk e kundërshtoi pjesën ku kërkohet që eksperti mjekoligjor ta bëjë plotësimin e ekspertizës pas pranimit të fletëlëshimit në epikrizë të plotë dhe i propozoi trupit gjykues se në rast se ky ekspert nuk e ka pasur më herët në dispozicion t’i përcillet edhe raporti i krimteknikës apo forenzikës.

Përfaqësuesja e palës së dëmtuar, e mbështeti në tërësi fjalën e prokurores, duke kërkuar edhe ajo plotësimin e ekspertizës mjekoligjore.

Pas kësaj, trupi gjykues i kryesuar nga kryetari Shaqë Curri, aprovoi propozimin që të kthehet në plotësim ekspertiza mjekoligjore, pasi që gjykata kishte siguruar edhe fletëlëshimin me epikrizë.

Si dhe aprovoi propozimin e mbrojtësit të pandehurit se në seancën e radhës të dëgjohen dëshmitarët Shkelzen Gashi, Ram Gërvalla dhe Shaban Shala, në rrethanat e propozuara nga mbrojtësi, dhe sa i përket mjekëve gjyqtari Curri tha se do të dëgjohen njëri nga mjekët e Spitalit të Pejës dhe njëri kirurg nga SHSKUK, Dr. Bujar Vralla dhe Dr.Gazmend Spahija.

Ndërsa refuzoi dëgjimin e disa nga dëshmitarët e tjerë dhe mjekëve tjerë me arsyetimin se do të prolongohet procedura penale.

Në këto rrethana seanca e sotme është shty për të vazhduar në muajin mars të këtij viti.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës më 13 mars 2023, po e ngarkon të akuzuarin Janifer Gashi, që më 28 qershor 2022, rreth orës 21:04 min, në fshatin Kryshec, Komuna e Pejës, para lokalit “Shelnja” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit I.G, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.G, si dhe me ç’rast me dashje i shkakton lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit Flakrim Gashi dhe po ashtu me dashje ka rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarve Zekë, Denis, Lirim dhe Fetë Gashi.

Sipas aktakuzës, pasi që i akuzuari me veturën e tij kishte shkuar në vendin e ngjarjes, tek lokali “Shelnja”, zbret nga vetura dhe nga një distancë prej afro një ose dy metrave, i drejtohet tani të ndjerit, i cili në atë moment ishte ulur në tavolinë me të dëmtuarit e tjerë, me fjalët “a më thirre ti në telefon”, dhe pas përgjigjes së tani të ndjerit “unë as nuk të thirra, as së kam numrin tënd”, i akuzuari Janifer nga brezi nxjerrë pistoletën, bën dy- tre hapa mbas dhe nga një distancë prej dy-tre metrave shtie pesë herë në drejtim të tani të ndjerit I. dhe të dëmtuarve, duke e goditur tani të ndjerin I. me katër predha në pjesën e abdomenit, e të cilat lëndime kanë qenë të rrezikshme për jetën e tani të ndjerit, e ku ky i fundit pas lëndimeve vdes në QKUK më 5 korrik 2022.

Sipas aktakuzës, thuhet se me këtë ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 173, pika 1.5 të KPRK-së.

Në dispozitivin e dytë, i akuzuari Gashi ngarkohet se sipas përshkrimit të ngjarjes së lartcekur, me dashje i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Flakrim Gashi, ku pas goditjeve të cilat pësoi tani i ndjeri I.G, po ashtu me një predhë godet të dëmtuarin Flakrim Gashin, në regjionin e kërcirit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore si dhe duke i rrezikuar edhe jetën e të dëmtuarve të tjerë.

Sipas aktakuzës, për këtë thuhet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, par.2 lidhur me par.1, pika 1.1 të KPRK-së.

Gjithashtu në dispozitivin e tretë, i akuzuari Gashi, ngarkohet se në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me Ligjin mbi armë, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një pistoletë së bashku me një karikator dhe shtatë fishekë, me të cilën armë ditën kritike kishte shtënë pesë herë në drejtim të tani të ndjerit I.G.

Me këtë rast, thuhet i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të KPRK-së.

VIDEO BONUS: Keqpërdorime në njësinë për patentë shoferë në Pejë, Durmishi paralajmëron anulimin e provimeve