Prokuroria Speciale

Gjykimi për kultivimin e mbi 2 mijë bimëve narkotike, i akuzuari thotë se në qese të zeza ka pasur jorganë e jastëkë

Alban Maloku, njëri nga shtatë të akuzuarit në gjykimin për kultivimin e 2 mijë e 59 bimëve të llojit kanabis sativa, si dhe 32 kilogramëve substanca tjera të narkotikëve, ka thënë se në pamjet e kamerave ku ai shihet me qese të zeza në dorë, në to ka pasur jorganë e jastëkë.

Në këtë rast po akuzohen, Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Daqiç dhe Milazim Voci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Atëherë në video jam tu hi e tu dal shumë kese me sa e di unë ka pas jorgana, jastaka diçka po nuk jom i sigurt, kryesisht unë e kom pas rolin e punëtorit bone qeta bone qeta”, tha i akuzuari Maloku, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij.

Sipas tij, qese të zeza në banesë kishte dërguar vetëm dy herë e jo më shumë.

“…qat ditë që jom kon në kamera edhe një herë tjetër pa kamera”, ka thënë Maloku.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk e mban mend nëse në laboratorin laboratorin brenda objektit Mulliri “Voci 1”, ka pasur sasi të narkotikëve të paketuara e as sasi të tharë e të prerë më herët.

I njëjti tha se nuk i kujtohet nëse gjatë ditëve të punës së tij të ketë ardhur dikush në atë objekt për të marrë sasinë e narkotikut.

Sipas tij, ditën e parë kur kishte filluar punën në mulli (laborator) aty kishin qenë bimët narkotike, por nuk ishte në dijeni se kush i ka sjellë ato.

Maloku deklaroi se nuk ka pasur detyrë që ato bimë me i dërgu diku jashtë vendit të punës.

Fillimisht, Maloku ka treguar se së pari ishte takuar rastësisht me tani të akuzuarin Erol Marku, në një lokal në “Abi Qarshia” në Prizren, të cilin e kishte dëgjuar nga tavolina tjetër duke biseduar në disa persona rreth laboratorit.

“Erolin e kom pas afër me tavolinë me do njerëz tjerë, të cilët nuk i kam njohur, edhe e kom dëgju muhabetin e tyre tu fol rreth mullirit d.m.th. laboratorit, e kom ni që po i vyn punëtor për me i pre bimët edhe si kom pas kushtet mirë qat’herë edhe babën hala smut e kom, mu ka dok që është sen i mirë edhe i kom shku në tavolinë dhe kam biseduar me të i cili e pranoj këtë bisedë, tani kom fol me to i thash që të niva tu fol qeshtu-qeshtu dhe a mundesh mem pranu për këtë punë”, tha i akuzuari Maloku.

Pastaj, ai tha se me të kishte arritur marrëveshje për fillimin e punës dhe se ishin dakorduar që për punën që do të bënte do të paguhej 500 euro.

Rreth pagesës Maloku tha se kishte biseduar vetëm me Erolin, ndërsa se kush kishte për ta bërë pagesën nuk ka qenë në dijeni.

Por shumën prej 500 euro i njëjti tha se nuk e ka marrë asnjëherë.

“Jo si kom marrë sepse marrëveshja u kon kur të kryhet puna të paguhem”, tha ai.

Në vendin e tij të punës, ai tha se i ka njohur të gjithë të akuzuarit tjerë, përveç të akuzuarit Fehti Uygur.

Ndërsa, në një foto që prokurori e kishte prezantuar ku shihet ai tek një sportel, ai tha se aty ka qenë në zyrat e KEDS-it për të bërë pagesën e rrymës.

“Jena kanë tu nejt aty në Mulli mrena në fshatin Shirokë edhe Erolli veç m’ka thanë dil deri poshtë se ka ardh dikush ku aty jam taku me një njeri i cili nuk folke shqip, veç mi ka dhënë paret për pagesë të rrymës edhe ka ec”, ka thënë tutje ai lidhur me këtë situatë.

Pagesën e rrymës ai tha se e kishte bërë për mullirin (laboratorin).

Ndryshe, seanca e sotme u ndërpre për arsye personale të kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili.

Ndryshe, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci të cilët akuzohen për krim të organizuar, me pretendimin se që nga koha e pacaktuar e deri më 16 shkurt 2022, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e Fethi Uygur, kanë kultivuar hashash në laboratorin brenda objektit Mulliri “Voci 1”, në fshatin Shirokë, komuna Suharekë.

Prokuroria ngarkon 7 të akuzuarit me veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me “Blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.