Shaban Gogaj

Gjykimi ndaj Shaban Gogajt, ekspertët konstatojnë që arma ka qenë funksionale dhe pa ngecje

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, në gjykimin ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetaj, ekspertët e balistikës Qëndrim Topalli dhe Lutfi Raci, thanë që arma me të cilën është kryer vepra penale kishte qenë funksionale, pa ngecje dhe të meta tjera.

Eksperti i balistikës Qëndrim Topalli, lidhur me ekspertizën dhe deklaratën e dhënë para gjykatës, tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin e parë gjyqësor dhe se nuk ka çfarë të shtojë përpos atyre që janë thënë në raportin e përpiluar dhe një raporti tjetër plotësues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se nuk kishte pasur ndonjë ndikim përgjatë ekzaminimit dhe se kishin ardhur me konstatimin në bazë të asaj çka kanë parë në video, me një program softuerik, të cilin e kishin ndarë në korniza e që iu ka mundësuar të shohin në mënyrë të ngadalësuar çdo sekuencë nga video, që ka regjistruar kamera.

Kurse, eksperti tjetër i balistikës, Lutfi Raci, gjithashtu tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin e parë gjyqësor.

Ai përveç asaj çka kanë deklaruar, theksoi se kishte punuar një raport të ekspertizës, ku e ka dhënë mendimin lidhur me të gjeturat, ku janë ekzaminuar provat materiale, mjetet e ekzaminimit dhe tha se kanë qenë dy pistoletat, një gëzhojë dhe një plumb dhe disa fishekë.

“Këto kanë qënë objekt i ekzaminimit ku ne i kemi dhënë konstatimet lidhur me to dhe qëndroj pranë tyre. Nuk kam diçka për të shtuar përveç atyre çka kam thënë para gjykatës dhe atyre me shkrim, ekspertizën e kam dhënë sipas mendimit të lirë, duke u bazuar në metodat që ne i përdorim për të ardhur deri te konstatimi, dhe nuk ka qenë dikush i ndikuar në të”, tha eksperti Raci.

Në fund, ai e ritheksoi edhe një herë se armët objekt ekzaminimi, gjatë qitjeve provuese kishin qenë funksionale, të cilin konstatim e kishin dhënë edhe me shkrim para gjykatës.

“Arma ‘Bereta’ ka qenë funksionale, nuk ka pasur ngecje apo ndonjë të metë apo defekt në operimin e pjesëve të saj”, përfundoi Raci.