Gjykatësja e “Tik Tok” nën hetim, Enkelejda Kapedani liroi nga burgu një të dënuar për dy vrasje

Kjo është kryetarja e gjykatës së Elbasanit Enkelejda Kapedani. Për shkak të këtyre videove të hedhura në Tik Tok ajo është nën verifikim nga inspektorati i lartë i drejtësisë i cili pritet të japë shpejt një vendim.

Ndërkohë gjykatësja ka mohuar të ketë hedhur vetë këto video në rrjetet sociale.

Por ndërkohë ky nuk është hetimi i parë për drejtuesen e gjykatës së Elbasanit. Që në dhjetor të vitit 2019, ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj ka kërkuar edhe Këshillit të Lartë të gjyqësorit verifikimin e një vendimi të dhënë nga gjykatësja e Elbasanit Enkelejda Kapedani.

Ajo ka firmosur lirimin nga burgu të një personazhi të njohur të botës së krimit. Viktor Ymerit i cili ishte dënuar në vitin 1999 me burgim të përjetshëm për dy vrasje të ndodhura në Durrës.

Gjykatësja e Elbasanit më 9 korrik të vitit 2019 i uli 360 ditë burgim Viktor Ymerit i cili më herët kishte përfituar uljen e dënimit nga burgim të përjetshëm, në 25 vite burgim. Një ditë më pas sërish gjykata e Elbasanit i ul një vit dënimi Ymerit dhe në 27 nëntor merr një tjetër vendim duke i falur edhe 5 muaj dënim. Dhe më 27 dhjetor të atij viti urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga burgu të tij.

Po kush është personazhi që Enkelejda Kapedani nxitoi ta lironte nga burgu. Viktor Ymeri u arrestua dhe dënua për dy vrasje në 1999 emri i tij u përfshi në vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.

Është i afërt i Edison Harizajt, i vrarë në nëntor 2018 në Durrës. Disa muaj nga lirimi i tij, Viktor Ymeri u ndalua sërish nga policia për t’u pyetur për një ngjarje në Durrës me dyshimet se ishte hedhur serish ne veprim. Për dosjen e tij, po verifikon edhe këshilli i lartë i gjyqësorit por edhe inspektorati i drejtësisë./Top Channel