Gjykatësi jashtë shtetit | Dështon gjykimi ndaj ish-deputetit të LDK-së që akuzohen për keqpërdorim të votave

Për shkak se gjykatësi Musa Konxheli gjendet jashtë vendit është anuluar seanca e së premtes në rastin ku ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Dardan Blakaj dhe Sylë Balaj po akuzohen për keqpërdorim të votave dhe vjedhje e identitetit dhe pajisjeve të qasjes. Në këtë rast, për veprën penale të kanosjes, akuzohet Kushtrim Gjevukaj.

Një gjë e tillë është bërë e ditur zyra e gjykatësit Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, për anulimin e kësaj seance e paraparë të mbahej në orën 10:30, palët janë njoftuar paraprakisht.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 17 mars 2023.

Edhe më 24 janar 2023 ishte shtyrë seanca shkaku i mungesës së të akuzuarit Shpëtim Shala.

Në seancën e 26 janarit 2023, Gjykata kishte kërkuar rinegocim të marrëveshjes së arritur ndërmjet prokurorisë dhe të akuzuarit Milot Blakaj për keqpërdorim të votave. Më 31 janar ishte aprovuar marrëveshja për pranim fajësie, ku i akuzuari ishte dënuar me 20 muaj burgim me kusht.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Milot Blakai. Dardan Blakaj dhe Syle Balaj, nga muaji janar deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe ne bashkëkryerje me njëri tjetrin e kanë keqpërdorur të drejtën e votimit duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri, me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, kandidat për deputet nga radhët e subjektit politik “Lidhja Demokratike e Kosovës” (LDK) në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 14 shkurt 2022.

Në aktakuzë thuhet se, në atë mënyrë që të pandehurit fillimisht i kanë siguruar kopjet e letërnjoftimeve të 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, kundërligjshëm i kanë përdorur ato letërnjoftime në procesin e votimit për votuesit nga diaspora, ashtu që të pandehurit Kastriot, Milot, Dardan, Tahir dhe Sylë janë mbledhur në një zyre që dyshohet se ishte nën menaxhim të të pandehurit Kastriot Blakaj në Peje.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht aplikuan në KQZ për tu regjistruar si votues nga diaspora përmes email-adresave fiktive dhe pasi që pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së, pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidate, në mesin e tre edhe për të pandehurin Shkumbin Gashi pastaj një kopje të letërnjoftimit dhe fletevotimin e vendosin në një zarf, dhe pasi që i plotësojnë 71 zarfe, i vendosin ne një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim ne Austri.

Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri Kastriot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe me datë 2 shkurt 2021 e dërgon tek Stacioni i Autobusëve në Pejë, aty çantën ia jep njërit nga shoferet e autobusit të kompanisë “Loshi Reisen”, i cili bartë udhëtarë me autobus në linjën Gjakove-Vjenë, ku vozitës atë ditë ishin Agim Abdyli dhe Sabri Uka, pastaj me të arritur çantën e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe ky i fundit i vendos zarfet në postën e Austrisë me destinacion KOZ-në në Kosovë, me ç’ rast gjatë kontrollit të ligjshmërisë të kryer nga ana e prokurorit të shtetit në KQZ, ka arrit të identifikohen dhe të konfiskohen zarfet e lartcekura me fletëvotime te falsifikuara.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” e paraparë dhe sanksionuar me nenin 213 paragrafi 1 nën-paragrafi 1.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas diapozitivit të dytë, në kohën dhe vendin si në pikën e parë të këtij dispozitivi, me dashje dhe në bashkëkryerje mes veti dhe me persona të tjerë ende të pa identifikuar, i kanë keqpërdorur të dhënat personale të disa qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri, në atë mënyrë që fillimisht i kanë siguruar kopjet e letërnjoftimeve të 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre i kanë përdorur në procesin e kryerjes së veprës penale nga pika I të këtij diapozitivi.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 336 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në dispozitivin e tret, i pandehuri Kushtrim Gjelvukaj, më 9 shkurt 2021, në stacionin e Autobusëve në Pejë, me dashje e kanos të dëmtuarin Agim Abdyli, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim për jeten e tij.

Sipas këtij dispozitivi, në atë mënyrë që në ditën e incidentit, del me veturën e tipit “Audi A6”, tek Stacioni i Autobusëve dhe aty pret deri sa shfaqet i dëmtuari Agim Abdyli dhe në një moment i pandehuri Gjevukai i afrohet të dëmtuarit Abdyli, pastaj e hap dritaren e veturës dhe i drejtohet me fjalët “Mu je ka me pret a dhe hajt se ta kallxoj qejfin“, pastaj mbyll dritaren dhe largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, mirëpo i dëmtuari arrin t’ia marrë targat e veturës dhe pastaj e identifikon në bazë të fotografisë që e kishte parë në rrjetin social “Facebook” dhe procedurës së identifikimit gjatë fazës së hetimit.

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Nr. 06/1-074 Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.