Reagimi

Gjykata Themelore reagon për ofendimet ndaj gjyqtares në rastin e Konjufcës: Vendimi ishte në bazë të provave

Gjykata Themelore në Prishtinë ka reaguar në lidhje me reagimet dhe fjalorin fyes ndaj gjykatës dhe gjyqtares Edita Çanta në lidhje me shpalljen e aktgjykimit të 26 shkurtit, ku i akuzuar ishte tash kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca.

Në reagim thuhet se gjykata konsideron se këto publikime cenojnë rëndë figurën e gjyqtarit, pavarësinë e tyre dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor, dhe sipas tyre, si të tilla ndikojnë negativisht në pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarëve.

“Gjykata Themelore Prishtinë, fton opinionin publik që të përmbahen në komentimin e vendimeve gjyqësore  pasi që gjykata vendimet i merr në bazë të provave të administruara në shqyrtim gjyqësor dhe si të tilla vendimet e gjykatës së shkallës së parë nuk janë përfundimtare, mund të vlerësohen nga gjykata e shkallëve më të larta sipas mjeteve të goditjes”, thuhet në reagim.

Më 26 shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që të shpallë të pafajshëm kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca.