Gjykata Komerciale ia dërgon vendimin “VisaMetric” ku i ndalohet të merr nga 30 euro për shërbime postare

Gjykata Komerciale e Kosovës ka reaguar pas raportimit të Telegrafit se qytetarët ende po vazhdojnë të paguajnë nga 30 euro në kompaninë “VisaMetric”, për të marrë pasaportat në shtëpi pasi aplikojnë për vizë gjermane, dhe se kjo kompani ende nuk ka filluar zbatimin e vendimit nën arsyetimin se nuk ka pranuar vendimin nga kjo gjykatë.

Zëdhënësja e Gjykatës Komerciale të Kosovës, Albenora Bekteshi tha për Telegrafin se vendimi që ia ndalon “VisaMetric” këtë shërbim, sot ka arritur në këtë kompani.

“Të nderuar, ju njoftojmë se sot me datë 16.05.2023 nga shërbimi postar kemi pranuar fletë kthesën me të cilën dëshmohet se përfaqësuesi i të paditurit ka pranuar vendimin e shkallës së dytë”, tha ajo.

Ndryshe, avokati Fisnik Salihu, i cili është përfaqësues i autorizuar i kompanisë “VisaMetric”, ka deklaruar sot se sapo të pranojnë vendimin do ta shqyrtojnë së bashku me kompaninë.

“Ju njoftoj se si përfaqësues u autorizuar i kompanisë ‘VisaMetric’, deri më tani nuk kemi pranuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Apelit. Në momentin që pranojmë vendimin, ne do ta analizojmë dhe normalisht që pas konsultimit me kompaninë do të shqyrtojmë për mundësitë e zbatimit, varësisht nga vendimi i Gjykatës. Deri tani nuk kemi pranuar vendim dhe nuk mund të deklarohemi më shumë rreth kësaj çështje, ne as kompania nuk e ka pranuar vendimin”, kishte deklaruar ai.

Në anën tjetër, avokati Fatlum  Abdullahu, i cili ka paditur këtë kompani në Gjykatën Komerciale, ka thënë se mos respektimi i vendimit përben vepër penale.

VisaMetric është i vetmi ofrues i shërbimeve i autorizuar nga përfaqësitë gjermane në Kosovë për të trajtuar shërbimet e mbështetjes për aplikimin për viza.