Gjykata e detyron Komunën e Kamenicës që ish-mësueses t’ia paguajë një pagë jubilare

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e ish-mësueses klasore, Feride Kastrati.

Kjo gjykatë, e ka detyruar Komunën e Kamenicës, përkatësisht Drejtorinë Komunale të Arsimit, që paditëses t’ia kompensojë një pagë në emër të shpërblimit jubilar, në shumë prej 452.37 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të 3 janarit të këtij viti, gjykata e ka detyruar të paditurën, që paditëses t’ia kompensojë edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 98 euro, në afat prej 15 ditësh nga marrja e aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit.

Kundër këtij aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Blerim Beshtica, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afatin prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Ish-mësuesja Feride Kastrati, më 3 dhjetor 2019, ka ushtruar padi ndaj Komunës së Kamenicës, përkatësisht Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, me arsyetimin se ajo ka qenë në marrëdhënie pune tek e paditura si mësimdhënëse, mbi 30 vite, deri më 22 nëntor 2019, kur edhe është pensionuar.

Gjithnjë sipas padisë, më 4 nëntor 2019, e paditura ka marrë vendim për pagimin e tri pagave përcjellëse në shumë prej 1,511.61 euro, dhe një page jubilare në shumë prej 421 euro, por me rastin e pagesës në bankën “BpB Banka”, e paditura i ka paguar vetëm pagat përcjellëse dhe nuk i ka kompensuar pagën jubilare.

Në padi thuhet se duke u bazuar në nenin 35, paragrafi 8, pika 8.3 të Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë, të 18 prillit 2017, në të cilën parashihet se punonjësi i Arsimit, i cili është anëtar i SBASHK-ut, me rastin e pensionimit për përvojë pune mbi 30 vite i takon një pagë jubilare në shumë prej 100%.

Paditësja ka kërkuar nga gjykata që të aprovohet në tërësi kërkesëpadia e saj, si dhe të obligohet e paditura, Komuna e Kamenicës – Drejtoria Komunale për Arsim, që atij t’ia kompensojë në emër të shpërblimit të një page jubilare, në shumen prej 100% të pagës, t’ia paguajë gjithsejtë 452.37 euro, si dhe kamatën ligjore në lartësi prej 8%, sipas LMD-së, e cila do të llogaritet nga data e parashtrimit të kësaj padie në gjykatë, deri në pagesën definitive të saj në afat prej 15 ditësh, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë nën kërcënimin e përmbarimit ligjor. /BetimipërDrejtësi