Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Daniel Drobajn, 18 vjeçarin që akuzohet për plagosjen e rëndë të efektives së policisë Ina Nuka, e cila protestën e të enjtes në parlament, humbi dy gishta për shkak të shpërthimit të një kapsolle.

Në seancë i riu erdhi me dorë të fashuar duke thënë se policët në komisariat e kanë goditur me shkelma duke bërë që ai të mos lëvizë dot tre prej gishtërinjve të tij. Ndërkohë 18 vjeçari ka pranuar se ka patur tre kapsolla, por se ai i ka hedhur në drejtim të llamarinave që qarkojnë ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, e cila ndodhet pranë parlamentit shqiptar, atje ku u zhvillua protesta e banorëve të Astirit javën e kaluar.

Ndërkohë avokati i 18 vjeçarit është shprehur se prokuroria në fakt nuk ka asnjë lloj prove që të mund të vërtetojë faktin se ka qenë Danieli personi që ka shkaktuar plagosjen e rëndë të policse 24 vjeçare Nuka.

“I mbrojturi prej meje nuk ka kryer asnjë vepër penale për shkak se plagosja e rëndë me dashje që prokuroria pretendon se e ka kryer, nuk kemi asnjë rrethanë konkrete që ligji parashikon. Nëse ai e ka hedhur një kapsollë në drejtim të grumbullit të policisë nuk ka pasur qëllim për të dëmtuar ndonjë polic. Nuk kemi konfimin për nivelin e dëmtimit të të dëmtuarës, pasi Instituti i Mjekësisë nuk ka dalë me një rezultat për nivelin e dënimit.

Përsa i përket kundërshtimit të policisë, ai ka dalë në mbrotjje të banesës nuk ka ushtruar dhunë. Protesta është në natyrën e saj, qëndresa e qytetarëve dhe nuk ka pranuar për ta shoqëruar në polici.

Sipas tij është ushtruar dhunë me sharje dhe goditje me grushte. Prokuroria nuk ka asnjë provë se plagosjen e ka kryer Drobaj, por pretendon se ka një kohë televizive dhe në mënyrë të përafërt pretendojnë se mund të jetë ky person. Ka pranuar se ka hedhur tre kapsolla”-tha avokati.