Gjuriq e mbron Radojiçiqin, të dyshuarin kryesor për vrasjen e Ivanoviqit: E ka kaluar poligrafin

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se Milana Radojiçiq nuk është fajtor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Ai, pas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, personi për të cilin më herët Gjuriq kishte thënë se “merret me biznes”, e ka kaluar testimin me poligraf dhe kjo tregon se ai nuk ka përgjegjësi për vrasjen e Ivanoviqit.

Në pyetjen e gazetarëve, me konstatimin se testimi me poligraf nuk është dëshmi valide në gjykatë, Gjuriq ka thënë se poligrafi tregon se “a është dikush fajtor apo jo”, transmeton Ballkani.info.

“Radojiçiq e ka kaluar testimin me poligraf (test për mashtrim), ai nuk është fajtor dhe as përgjegjës për vrasjen e Ivanoviqit”, ka thënë Gjuriq.

Në pyetjen e gazetarëve se me këtë a është përmbyllur hetimi dhe nëse po, duke pas parasysh që poligrafi nuk është dëshmi e vlefshme për gjykatë, atë çfarë i shërben kjo gjykatës, Gjuriq në konferencën e jashtëzakonshme për media ka thënë se policia serbe e nisur hetimin pasi që Prishtina dhe organet ndërkombëtare deri më tash nuk kanë dhënë përgjigje të drejta.

“Policisë serbe i ka shkuar për dore që Radojiçiq të jep dëshmi dhe atë në prani të ekspertëve më të mirë që i ka Serbia. E ka kaluar poligrafin dhe është konfirmuar se ai nuk është fajtor e as organizator i atij krimi. Ky fakt i ka nervozuar disa të cilët fajtorin po e kërkojnë në palen serbe”, ka thënë Gjuriq.

Po të vritej para disa ditësh, Radojiçiqi do të shpallej fajtor për atë vrasje, ka shtuar ai.

“Me këtë ka dështuar plani i Prishtinës dhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe vendosre, të cilët kanë dashur që këtë t’ua lënë serbëve dhe t’i stigmatizojnë serbët në veri dhe t’i eliminojnë disa nga figurat kryesore të cilat po i kundërshtojnë qëllimet e Prishtinës”, ka thënë ai.

Pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri, Radojiçiq është larguar për në Serbi, por atë ditë janë arrestuar tre serbë, bashkëpunëtor të Radojiçiqit të akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e Ivanoviqit.

Atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. /Ballkani.info/