Presidenti i Malit të Zi

Gjukanoviq vërteton fjalët e Haradinajt: Demarkacioni i kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës mund të rishikohet

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq i ftuar për intervistë në Radio Televizionin Publik ka thënë se çështja e demarkacionit mes Malit të Zi dhe Kosovës nuk paraqet problem për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Gjukanoviq për këtë çështje ka përmendur edhe marrëveshjen mes dy presidenteve, me të cilën Kosova dhe Mali i Zi zotohen për formim të një komisioni ndërshtetëror, e cila do e korrigjojë çdo gabim eventual që ka ndodhur në procesin e demarkimit të kufirit shtetëror mes dy vendeve.

Në pyetjen nëse ai po e lë të hapur mundësinë që dilemat që janë për pjesë të caktuara të kufirit edhe mund të korrigjohen, presidenti malazez u shpreh: “Ashtu siç e thashë marrëveshja për demarkacion ndërmjet dy vendeve tona është miratuar. Pas kësaj vazhdon pjesa teknike e punës. Komisioni i përbashkët do të dalë në terren duhet ta vizatojë në mënyrë precize këtë kufi dhe nëse në këtë çështje tregohet se është e logjikshme se disa gjëra duhet të korrigjohen dhe aty ekziston marrëveshja e dy palëve kjo nënkupton se do të bëhet në frymën e miqësisë dhe respektit të interesave të ndërsjella. Unë nisem gjithmonë nga pika se Mali i Zi dhe Kosova janë miq dhe në mënyrë të përgjegjshme do ta ruajmë miqësinë tonë dhe do të provojmë që pikërisht me këtë miqësi ta valerizojmë potencialet e shumta të bashkëpunimit tonë”.

Kujtojmë se për këtë cështje së fundi në një intervistë foli edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili u shpreh se çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk është e kryer. Sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi sa më shpejtë do duhet që t’i formojnë komisionin ndërshtetëror, i cili edhe parashihet me dokumentin e nënshkruar mes dy presidentëve.