Gjukanoviq: Mali i Zi i gatshëm të ndajë përvojat me Kosovën për rrugën euroatlantike

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se ky shtet është i gatshëm që të ndajë me Kosovën përvojat e rëndësishme për përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Pas një takimit me ambasadorin e Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, Presidenca malazeze ka thënë se në takim Gjukanoviq ka ofruar përkrahjen e tij për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Presidenti ka shprehur kënaqësinë e tij për raportet mes Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës, që tradicionalisht janë shembullore dhe përforcohen vazhdimisht me respekt të ndërsjellë e bashkëpunim shtetëror edhe në këtë kohë. Ai ka uruar zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës dhe ka uruar për zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani, me shpresën që do të kontribuojë në arritjen e qëllimeve të shtetit tonë fqinj, me të cilin i ndajmë dhe për të cilat përpiqemi bashkërisht. Në këtë kontekst, presidenti ka përsëritur gatishmërinë e Malit të Zi që të ndajë me Kosovën përvojat e rëndësishme për progres në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës së Malit të Zi.

Në anën tjetër, në njoftim thuhet se ambasadori Hysaj ka shprehur dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin për të njëjtat vlera dhe qëllime evropiane e euroatlantike.