Mimoza Hysa

Gjuha dhe kultura shqiptare në diasporë

Interesimi për ecurinë e gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë bashkoi në mjediset e Universitetit të Shkodrës studiues, përfaqësues të institucioneve mësimore dhe kulturore si dhe një grup mësuesish të gjuhës shqipe që punojnë vullnetarisht në diasporë.

Drejtuesja e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Mimoza Hysa, tha për Zërin e Amerikës se veçanërisht fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë kërkojnë një vëmendje të veçantë për trashëgiminë e gjuhës dhe kulturës shqiptare, çka është edhe një sfidë mbarëkombëtare, pasi pjesa më e madhe e shqiptarëve aktualisht jetojnë jashtë kufijve të sotëm shtetëror.

“Ne kemi 5 përqind të fëmijëve që mund të vazhdojnë shkollat shqipe. Pra, nga 400 mijë fëmijë të mundshëm, që janë tashmë në emigracion, janë vetëm 30 mijë që ndjekin shkollat shqipe. Pra numri është i vogël. Ka ardhur duke u rritur nga interesimi i dy shteteve, por sfida është e madhe. Nuk është vetëm e institucioneve. Është e prindërve, mësuesve, është e komunitetit shqiptar”, thotë ajo.

Qendra e Botimeve për Diasporën është ngritur 5 vite më parë dhe ajo boton dhe shpërndan tekste shkollore në gjuhën shqipe në 23 shtete të botës, sipas një programi të përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Zonja Hysa vlerësoi tekstin e përbashkët të gjuhës dhe kulturës shqiptare, por edhe një numër tekstesh që mund të shkarkohen përmes platformave dixhitale. Tashmë, shtoi ajo, ekziston edhe një regjistër me të dhënat e shkollave dhe kurseve në gjuhën shqipe në diasporë.

“Kemi tani 400 kurse, mund të themi, dhe shkolla, sepse disa vende mësimi është i integruar në shkolla si në Suedi, Norvegji, Finlandë, Austri, Kroaci. Dhe, në vende të tjera zhvillohet në mënyrë vullnetare si në Itali dhe Greqi, ose me kurse të natyrës më private si në Amerikë, Kanada. Pra ka forma të ndryshme organizimi dhe kemi mbi 700 mësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare të regjistruar në databazën e qendrës tone”

Në takimin “Gjuha dhe kultura shqiptare në diasporë” mori pjesë edhe Adriana Bejko Fishta, drejtuese e shkollës “Foleja e shqiponjave” në Kanada.

70-vjeçarja Fishta është Sekretare e Pёrgjithshme e Kёshillit Koordinues tё Diasporёs e shpallur si Ambasadore e Kombit. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë, ajo kritikoi si qeverinë e Shqipërisë, ashtu edhe atë të Kosovës për mungesën e mbështetjes financiare për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë.

“Ti them gjërat troç. Të dy ministritë e arsimit, si e Kosovës si e Shqipërisë, i kanë lënë në baltë, i kanë gënjyer, të gjithë mësuesit dhe prindërit e diasporës. Firmosën që mësuesve të diasporës do t’u jepet rrogë, do të krijohet një buxhet i përbashkët Kosovë-Shqipëri. Po nuk është vënë asnjë lekë kund. Unë kam 17 vjet, bashkë me mikeshat e mia, që ne punojmë vullnetarisht”, thotë ajo.

Në takimin “Gjuha dhe kultura shqiptare në diasporë” sollën përvojat e tyre edhe mësuese të gjuhës shqipe në Greqi, Suedi dhe Amerikë, të cilat theksuan mes të tjerash se duhet një program më i mirëmenduar, mes Shqipërisë dhe Kosovës, për të berë të mundur që të ketë përqendrim të shkollave në gjuhën shqipe edhe aty ku ende nuk janë hapur./VOA