Gjoshi i ashpër me Fatmir Limajn: Për interesa të veta u largua dhe tash tentoi të gjejë strehë në PDK

Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se s’janë krijuar kushtet për t’u arritur një koalicion parazgjedhor me ndonjë subjekt politik, duke përfshirë edhe një koalicion të shumëpërfolur me Nismës.

Gjoshi ka thënë se ka qenë vullnet i partisë që shkojë e vetme në zgjedhje, teksa ka hedhur kritika në drejtim të të parit të Nismës, Fatmir Limaj.

Gjoshi ka deklaruar se Limaj, sipas tij, është larguar nga PDK-ja për interesa të veta, duke shtuar se tani ka tentuar të gjejë strehë në PDK.

“S’kemi arsye të frikësohemi nga Limaj, pasi ky ka qenë pjesë e PDK-së deri në vitin 2013. Ai është larguar nga PDK-ja për interesa të veta, prapë për interesa të veta ka tentuar të vijë në koalicione me neve pasi s’ka përkrahje të qytetarëve. Ka tentuar të gjejë strehë në PDK. Jemi duke funksionuar si parti politike dhe s’kanë qenë kushtet për një koalicion dhe s’i është kushtuar shumë asaj pjese. Kemi qenë të qartë për të gjitha partisë se s’bëjmë koalicion parazgjedhor. Sa i përket përfshirjes në listë të Nismës s’është diskutuar as me Nismën dhe as brenda partisë. S’ia kemi mbyllur as hapur derën. Nëse kanë një kërkesë të tillë Nisma do ta shqyrtojmë në parti”, është shprehur ai për BlicInterviw.