Gjithçka ndodhi shkaku i një gjobe për kundërvajtje – policia jep detaje të reja rreth incidentit në Skenderaj

Dy pjesëtarë të policisë së Kosovës kanë mbetur të plagosur njëri nga arma e zjarrit e tjetri i lënduar nga mjetet e forta, si pasojë e një përleshje që ka ndodhur të shtunën në Skenderaj, ku dyshohet se i përfshirë ka qenë ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe disa nga familjarët e tij.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se deri më tani janë intervistuar katër rë dyshuar dhe se deri te incidenti kishte ardhur për shkak të shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik.

“Lidhur me rastin janë intervistuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik kanë sulmuar dy zyrtarë policorë. Njëri nga zyrtarët ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, ndërsa zyrtari tjetër nga një mjet i fortë”, thuhet në raportin e policisë.

Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi/provave materiale.

Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar.

I liruar në procedurë të rregullt është ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku.

Lirimin e tij e kishte konfirmuar dje avokati i tij Artan Qerkini.

Nuredin Lushtaku dje kishte deklaruar se nuk ka plagosur askënd, as ai e as familjarët e tij. Ai kishte deklaruar se zyrtari policor ishte plagosur nga kolegu i tij.

“Më vjen keq për gjithë çfarë ka ndodhur mbrëmë, në përfshirjen në një inicident krejtësisht të panevojshëm, ku pasoja kanë mundur të jenë edhe me të mëdha për faktin e veprime abnoramle dhe agresive të policit Enver Smakiqi. Polici Smakiqi pa asnjë arsye ka përdorur armën mbrëmë dhe ka plagosur kolegun e tij, derisa qëllim cak kishte vëllaun tim Faton Lushtaku”, deklaroi Lushtaku.

Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, ka deklaruar dje se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve janë njoftuar lidhur me këtë incident. Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë, hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pasi që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar)”, thuhej në përgjigjen e IPK-së.