Nënkryetari i AAK-së

Gjini: Ushtrisë duhet t’i rriten kapacitetet, do ta rrisim numrin e policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve

Nënkryetari i AAK-së, Adrian Gjini, ka prezantuar disa prej pikave të programit të koalicionit me PSD-në me të cilin synojnë që qeverisin pas 6 tetorit.

Ndër pikat kryesore është ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, për të cilën ka pasur polemika ndër parti politike në vend.

Gjini ka thënë se programi i tyre parasheh që kosto e zhvillimit të mos bartet te mirëqenia e qytetarëve dhe as mirëqenia të jetë kosto e zhvillimit.

“Nuk ka çështje që nuk e ndihmon tjetrën. Diplomacia jonë duhet të jetë në shërbim të thithjes së investimeve të huaja. Ambasadorët tanë nuk kanë pse të flasim për Sirinë, por duhet të takojnë biznese. Qeveritarët tanë kanë gabuar sepse gjithçka kanë lidhur me dialogun me Serbinë. Kjo është ndalë gjatë qeverisjes Haradinaj. Po funksionojmë si shtet. Pse të na ndërlidhet gjithçka me njohje nga Serbia?”.

“Te çështja e sigurisë – e kemi krijuar Ushtrinë. Për ushtrinë tonë do të duhet të rriten kapacitetet. Duam ta rrisim numrin e policëve. Rritja e numrit të tyre shërben për siguri dhe kjo i shërben sigurisë në investime në zhvillim. E njëjta do të ndodhë me prokurorët dhe gjykatësit”, ka thënë Gjini, njofton Klan Kosova.

“Është e domosdoshme që të vazhdohet të ndërtohet autostrada e Dukagjinit”.

Gjini gjatë prezantimit të programit të AAK-së dhe PSD ka theksuar se do të investojnë edhe në infrastrukturën tjetër.

Në fund sipas tij gjithçka është e kotë nëse nuk ka kush t’i realizojë ato.

“Çfarëdo që kemi shkruar është e realizueshme nëse ka lidership. Jam i bindur që kemi njeri që mund t’i marrë këto vendime – Ramush Haradinajn”.

loading…