Gjimshiti: Në këto nivele duhet të kesh vetëbesim

Berat Gjimshiti e pati detyrën e vështirë të dielën në mbrëmje kur përballë e kishte qendërsulmuesin Harry Kane.

Ai e pranoi se Shqipëria e pati vështirë të luante ndaj një ekipi të fortë si Anglia, por shtoi se ai me bashkëlojtarë patën paraqitje të mirë.

“Vështirësi patëm të gjithë. Sulmuesit anglez luajnë në nivele të larta. Golin e parë Kane e dha shumë mirë, ndërsa rrezikova në një top kur u pranua goli I dytë. Besoj që një sulmues me shumë cilësi, sidomos në Evropë, e ka treguar veten se çfarë është. Nuk është hera e parë që përballem me sulmues të këtij niveli, por në këto ndeshje, çdo gabim kushton ndaj sulmuesve të këtij niveli”, tha Gjimshiti pas ndeshjes.

Qendërmbrojtësi i Atalantas shtoi se kur nuk shfrytëzon rastet që të vijnë, atëherë gjithçka bëhet më e vështirë.

“Besoj që e kemi përgatitur shumë mirë ndeshjen. Pastaj kemi pasur një rast, një kundërsulm me Hysajn dhe Uzunin, që për pak nuk e shënuan golin. Do ta ndryshonte lojën, pasi do t’u fuste frikë edhe kundërshtarëve. Por edhe fusha nuk ishte aq e mirë, duhej të luanim me topa të gjatë. Në ndeshje të këtij niveli, duhet të kemi më shumë vetëbesim dhe të krijojmë më shumë raste”, përfundoi Gjimshiti.