Gjilani pa raste të reja me koronavirus, Haziri njofton për projektet milionëshe që do të realizojnë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se sot nuk ka raste të reja me coronavirus në komunën që ai udhëheq, teksa ka njoftuar për projektet që pritet të realizohen.

I pari i Gjilanit ka bërë të ditur se janë duke vazhduar me monitorimin e 27 rasteve me coronavirus brenda 9 shtëpive.

“#Dita83. Fatmirësisht, në Gjilan nuk kemi raste të reja pozitive me #COVID-19. Po vazhdojmë me monitorimin e 27 rasteve brenda 9 shtëpive. Urojmë të shërohen shpejtë edhe këta qytetarë. Do të vazhdojmë me monitorim përmes Qendrës Operative të emergjencave civile çdo ditë dhe 24 orë”, ka thënë ai.

Haziri ka thënë se është fat i madh që projektet milionëshe po i realizojnë me mbështetjen e partnereve ndërkombëtar.

“Ndërkohë, sa i përket investimeve kapitale, është fat i madh i Gjilanit që projektet milionëshe po i realizojmë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Investimeve Evropiane Banka Botërore. Rruga Gjilan – Prishtinë në gjatësi 7.1 kilometra, rruga Livoç i Ulët – Kllokot, impianti për trajtimin e ujërave të zeza, zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm për periudhën afatmesme e trajtimi i lumit Morava, janë vetëm disa nga projektet kapitale të konfirmuar nga miqtë e Gjilanit. Ditë të mira po vinë për Gjilanin tone”, ka pohuar ai.

Ndryshe, sot IKSHPK ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 27 raste të reja me coronavirus në Kosovë.