Gjilani i ka ndarë rrugët me trajnerin Sadat Pajaziti pas një marrëveshje dypalëshe për ndërprerjen e kontratës së tij të mërkurën, duke e zëvendësuar atë me Alban Hysenin.

Klubi kuqebardh njoftoi përmes një postimi në Facebook se i ka ndërprerë marrëdhëniet me trajnerin Sadat Pajaziti, më pak se një javë nga disfata në derbin e qytetit kundër Dritës.

Përkundër humbjes ndaj kampiones në fuqi, Gjilani e ruajti pozitën e katërt në Ipko Superligën e Kosovës, por sic duket humbja në derbin më të madh në vend dhe fillimi i stinorit pranveror me disfatë kanë ndikuar në vendimin e klubit për t’u ndarë me trajnerin.

“Skuadra e Gjilanit ditën e sotme me marrëveshje të dyanëshme, ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin e deritanishëm, Sadat Pajaziti.Ushtrues detyre në postin e trajnerit është caktuar, Alban Hyseni”, thuhet në njoftimin e Gjilanit

Klubi e ka falënderuar Pajazitin për kontributin e dhënë për klubin.

“Klubi futbollistik SC Gjilani, e falëmnderon Pajazitin për kontributin e dhënë deri më sot, dhe i uron suksese në vazhdimin e karrierës së tijë menagjeriale”, thuhet më tej në njoftim.