Gjilani i udhëhequr nga trajneri Ismet Munishi ka fituar me vështirësi kundër Llapit, në ndeshjen ku u panë tri gola e dy kartonë të kuq. Të mërkurën në stadiumin e qytetit në Gjilan, “kuqebardhët” triumfuan me rezultatin 2:1 kundër llapjanëve të udhëhequr nga trajneri Tahir Batatina, në takimin e xhiros së shtatë në Superligën e Kosovës.

Llapi në fakt ishte më i mirë në fillim të ndeshjes dhe shënoi në minutën e 19-t me mesfushorin me tipare sulmuese Francisco Rivera. Rivera e parabolloi portierin Enea Koliqi nga afërsia.

Me epërsinë minimale të vizitorëve u mbyll edhe pjesa e parë. Në pjesën e dytë, Gjilani barazoi nga pika e bardhë. Kushtrim Shabani u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së palejuar në Elton Calen.

Gjyqtari kryesor Malsor Ajeti akordoi penallti për vendësit dhe e ndëshkoi me të kuq Shabanin. I saktë nga penalltia ishte Gerhard Progni në minutën e 66-të. Kartoni i kuq për Gjilanin erdhi në minutën e 83-të, kur nga loja u përjashtua Muhamet Dubova. Ndërkohë goli i dytë dhe i fitores për Gjilanin u shënua në minutën e 89-të. Progni pas harkimit nga këndi e gjeti mbrojtësin e krahut të majtë, Armend Halilin, i cili shënoi me kokë për rezultatin final, 2:1. Ishte fitorja e tretë e sezonit për Gjilanin që renditet në vendin e tretë me 12 pikë, dy më pak se Drenica lidere. Llapi ende pa fitore sivjet, me tri barazime e katër disfata, pozicionohet në vendin e fundit me tri pikë.