Gjilani fiton derbin me Feronikelin, Llapi përmbys Trepçën ’89, Dukagjini triumfon ndaj Vushtrrisë

Gjilani dhe Llapi kanë fituar me përmbysje në duelet përkatëse të xhiros së 10-të të IPKO Superligës. Gjilanasit e mposhtën kampionin aktual, Feronikeli në udhëtim, 1-2, kurse llapjanët ishin më të mirë se Trepça ’89, 4-1. E Dukagjini e fitoi takimin e ekipeve të fundit në tabelë ndaj Vushtrrisë, 1-0

Tri ndeshjet e para të xhiros së 10-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll, të cilat janë zhvilluar sot, kanë qenë mjaft interesante dhe dramatike.

Gjilani dhe Llapi kanë fituar me përmbysje në duelet përkatëse.

Gjilanasit e kanë mposhtur kampionin aktual, Feronikeli me rezultat 1-2 në Drenas.

Ekipi gjelbër e bardhë ka kaluar i pari në epërsi me golin e Da Silvas, të shënuar në minutën e 73-të.

Mirëpo, Gjilani është rikthyer furishëm duke shënuar dy gola të shpejtë: fillimisht rezultatin e barazoi Franc Veliu me kokë në minutën e 81-të.

Kurse, golin e trepikëshit për mysafirët e shënoi kapiteni Ylber Kastrati në minutën e 85-të.

Ndërkohë, Llapi e mundi Trepçën ’89 4-1.

Mitrovicasit kanë avancuar të parët me golin e Muharrem Jasharit, të shënuar qysh në minutën e parë.

Sidoqoftë, ekipi i Tahir Batatinës përmbysi gjithçka në pjesën e dytë.

Labinot Osmani e barazoi rezultatin në 1-1 në minutën e 66-të.

Më pas, gol shënoi edhe Bunjamin Emini në minutën e 71-të për ta kaluar ekipin llapjan në epërsi.

E golin e tretë për vendësit e shënoi sulmuesi vushtrrias, Osmani në minutën e 76-të, për ta realizuar njëherësh golin e dytë personal.

Kurse, vulë këtij takimi i dha Muhamed Hyseni, me golin e shënuar në fund.

Ndërkohë, derbi i ekipeve të fundit në tabelë ndërmjet Dukagjinit dhe Vushtrrisë i ka takuar ekipit nga Rrafshi i Dukagjinit.

Klinasit kanë fituar me rezultat minimal, 1-0 falë golit të shënuar nga Altin Merlaku në minutën e 17-të të ndeshjes.

Të shtunën zhvillohet një ndeshje e të dielën dy të tjera.

Pa diskutim, përballja më e madhe e kësaj xhiroje është ajo në mes të Dritës dhe Ballkanit, e cila do të luhet të dielën.

loading…