Gjermania nuk ndryshon politikën për Ballkanin, por ç’ndodh me BE vitin e ardhshëm

Tërheqja e Angela Merkelit nga politika do të thotë edhe largim i lideres jo zyrtare të BE-së, ajo e cila zgjidhte kontradiktat e dilemat në Bruksel. Por a mund të ndryshojë politika e BE për Ballkanin Perëndimor?

Jo vetëm për BE, edhe për shumë politikanë në vendet e Ballkanit Perëndimor kancelarja, Angela Merkel ishte lidere dhe mentore për politikat e tyre dhe përkrahëse e madhe në procesin e integrimeve në BE. Që nga deklarimi i kancelares Merkel, se ajo nuk do të kandidojë përsëri për postin e kryetares së partisë në CDU, në Evropë u krijua një gjendje pothuajse e jashtëzakonshme dhe pasigurie. Kjo pasiguri u reflektua në të gjithë BE-në por edhe në Ballkanin Perëndimor.

Zyrtarë, analistë dhe qytetarë nga rajoni në ditët e fundit diskutojnë për pasojat e mundshme, pas tërheqjes së figurës, e cila ka mbështetur personalisht dhe angazhohej për integrimin e Ballkanin Perëndimor në BE.

“Kancelarja Angela Merkel nuk është larguar nga pozita e kancelares, por vetëm ka lajmëruar se do të largohet nga posti i kryetares së CDU-së. Kjo do të thotë se për aq kohë sa është kancelare, unë nuk pres që të ketë ndonjë ndryshim të madh në politikën gjermane drejt Europës Juglindore dhe politikës së BE për zgjerimin “, thotë për DW drejtori i zyrës së Brukselit të Institutit Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe Sigurisë Dushan Reljiq.

Analistët nga Brukseli që merren me çështjen e zgjerimit në përgjithësi dhe politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, pajtohen me këtë vlerësim, se ky veprim i kancelares gjermane nuk do të ndryshojë politikën e Gjermanisë për integrimet e rajonit. “Ekziston një vazhdimësi afatgjatë në politikën gjermane drejt Europës Juglindore, e cila është arritur kryesisht përmes politikës së zgjerimit në Bruksel dhe përmes NATO-s. Është e vetmja politikë që përfaqësohet në kontekst ndërkombëtar dhe nuk mund të ketë ndryshime të shpejta në këtë drejtim”, shpjegon Reljiq për DW.

Nga Fondi Gjerman Marshall thuhet se politika e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor është e lidhur me stabilitetin dhe ekonominë dhe se ky interes “nuk do të ndryshojë pavarësisht nga lidershipi në Berlin”. Gjermania e udhëhequr nga Angela Merkel filloi procesin dhe më pas planin “Berlin Plus”, me qëllim për të forcuar rajonin ekonomikisht duke krijuar mundësi bashkëpunimi midis shteteve të Ballkanit dhe përforcimin e lidhjeve me BE-në. “Angela Merkel ka udhëhequr personalisht politikën e zgjerimit të BE-së, në kohën, kur Komisioni Evropian lëshoi dorë nga udhëheqja e këtij procesi”, shpjegon Rosa Balfour nga Fondi Gjerman Marshall.