QNKTSH

Gjermania mbështet me shtatë milionë euro Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit

Ministri i Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius gjatë vizitës në Kosovë, ka parë për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH), në Pomozatin, në të cilën pati edhe demonstrime të ndryshme në këtë qendër. Nga këtu Pistorius bëri të ditur se Gjermania mbështet me shtatë milionë euro Qendra Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci pas takimit me homologun e tij gjerman, ka falënderuar shtetin e gjerman për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ka uruar që FSK shpejt të jetë pjesë e NATO-s dhe Kosova në Bashkimin Evropian.

“Gjermania qysh në kohët e pasluftës ka qenë në mbështetje kryesore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ka luajtur rol kyç po ashtu në aspektin e stabilitetit të sigurisë, si në pjesëmarrje të trupave të KFOR-it, gjithashtu duke qenë aktiv dhe prezent në zhvillimet e FSK-së. Në vazhdimësi shteti ynë ka pranuar donacione nga shteti gjerman, dhe nga ushtria e Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe këto janë vënë në përdorim për të mirën e qytetarëve të vendit tonë për sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë rajonit….Shpresojmë që ky bashkëpunim do të thelloj edhe më tej dhe FSK dhe Kosova vendi ynë së shpejti të jetë pjesë e NATO-s dhe e BE-së”, tha Maqedonci.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius, është shprehur i lumtur me arritjet e këtij institucioni.

Pistorius tha se shteti gjerman do të ndihmojë Kosovë për t’i zgjeruar kapacitetet e trajnimit ndërkombëtar.

“Është mbresëlënëse të shohësh një madhësi dhe kapacitet të mëdha të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit, që nuk kam parë kurrë një vend të tillë më parë. Nuk më habit… fitimi i një reputacion si dhe institucionet kryesore të trajnimit të dedikuara për ndihmën dhe shpëtimin e njerëzve në situata krize dhe fatkeqësish natyrore. Ju keni demonstruar përvojën tuaj në këtë fushë. Pranverën e kaluar pas tërmetit në Turqi, përgjigja juaj humanitare la një shembull për shumë organizata të tjera në mbarë botën. Ju keni shpëtuar shumë jetë dhe keni ndihmuar shumë njerëz. Me përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj të jashtëzakonshëm të bazuar në trajnime të shkëlqyera, ju keni krijuar një reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të mbështesim institucionin tuaj të trajnimit. Vitin e kaluar, ne mundëm t’ju ofrojmë automjete të mallrave të rrezikshme. Këtë vit, qëllimi ynë ka shkuar një hap më tej dhe do ju ndihmojmë të zgjeroni kapacitetin e trajnimit ndërkombëtar dhe të ndërtoni mësimet e nxjerra nga misioni i tërmetit në Turqi”, tha ai.

Ndërkaq, ministri Pistorius tha se janë caktuar shtatë milion euro për të ndihmuar këtë qendër.

“Unë jam i lumtur të them se aktualisht kemi caktuar rreth shtatë milionë euro për QNKTSH për t’u shpenzuar për një sërë projektesh dhe për të qenë në gjendje t’ju dorëzojmë disa nga pajisjet e shpëtimit sot. Jam i kënaqur që mund të luajmë një rol në historinë tuaj të suksesit dhe ju uroj gjithë të mirat në punën tuaj të rëndësishme”, shtoi Pistorius.

Ndërsa, ministri Maqedoni ka ritheksuar se kapacitetet e Gardës Kombëtare kanë dëshmuar që këto pajisje i kanë përdorur në mënyrën më te mirë jo vetëm në operacionet për shpëtimin e jetëve të njerëzve por edhe për operacionet ndërkombëtare ku rasti më i freskët është intervenimi në Republikën e Turqisë, i cili shtoi se njësitë e Gardës kombëtare të FSK-së me një profesionalizëm të lartë kanë arritur te bëhen shembull i një njësie qe kryen me përkushtim dhe disiplinë detyrat që u takojnë.

Në fund, mes ministrave pati edhe shkëmbim të dhuratave.

VIDEO BONUS: Punëtorët teknikë të shkollave fajësojnë Albin Kurtin për pagat e vogla