Gjermania dhe Franca kanë nënshkruar një marrëveshje ambicioze për të thelluar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe atë të mbrojtjes midis dy vendeve dhe për të forcuar Bashkimin Evropian (BE).
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, nënshkruan marrëveshjen në një ceremoni në qytetin perëndimor gjerman Aachen, në 56-vjetorin e marrëveshjes historike Elysee, e cila shënoi fundin e armiqësive midis dy vendeve fqinje.
Marrëveshja prej 16 faqesh e qytetit Aachen parashikon një integrim më të thellë ekonomik, bashkëpunim më të ngushtë në politikën e jashtme, si dhe mbrojtjen dhe hartimin e një “Bashkimi Evropian të Mbrojtjes” .
Duke rikonfirmuar angazhimet e tyre ndaj NATO-s, të dy vendet garantojnë njëri-tjetrin për çdo mbështetje të mundshme në rastin e një sulmi të armatosur.
Sipas marrëveshjes së re fracezo-gjermane, dy fuqitë kryesore të Evropës do të rrisin përpjekjet e tyre për të forcuar BE-në dhe për të kryer konsultime të rregullta para takimeve të BE-së për të koordinuar më mirë politikat e tyre.
Berlini dhe Parisi po ashtu do të rrisin programet kulturore dhe arsimore të shkëmbimit dhe do të mbështesin projektet e shoqërisë civile për të nxitur bashkëpunimin ndërkufitar.







