Gjermani Christoph Heusgen apo sllovaku Mirosllav Lajçak përfaqësues i BE-së në dialogun Prishtinë Beograd?

Ndërsa mediat e Kosovës shkruajnë se përfaqësues special i Bashkimit Europian në dialogun midis Beogradit e Prishtinës do të jetë diplomati gjerman Christoph Heusgen (Kristof Hojzgen), ato të Beogradit thonë se ky funksion do t’i takojë ministrit të Jashtëm sllovak në largim, Mirosllav Lajçakut, shkruan “Blic i Beogradit.

“Ministri sllovak i Jashtëm në largim , Mirosllav Lajçak, do të jetë i dërguari special i Bashkimit Europian në bisedimet midis Beogradit e Prishtinës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, shkruan “Blici”, duke u thirrur në qarqet diplomatike në Berlin.

Sipas kësaj gazeta, Lajçak vjen në këtë pozitë me propozimin e kancelares gjermane, Angela Merkelit, e cila në këtë mënyrë, tërthorazi, do të angazhohej më fuqishëm në Ballkan.

Sipas “Blicit” “tani janë njoftuar zyrtarisht edhe kreu shtetëror i Beogradit dhe ai i Prishtinës se Lajçak do t’i kryesojë në të ardhmen negociatat”, duke u thirrur në burime të veta.

Por kjo gazetë nuk ka marrë konfirmim nga kabineti i presidentit të Serbisë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është shprehur sot se “nuk mund as të konfirmoj, as të demantoj, por nuk mund të përjashtoj këtë mundësi. Kushdo që t’i drejtojë bisedimet do të jetë nën ndikimin e fuqishëm të Berlinit” ka thënë ai.