Gjenerali italian: Tani na takon neve e dashur Shqipëri, të themi faleminderit

Gjenerali italian Fabrizio Lisi ka shprehur falënderim për ndihmën që ka bërë Shqipëria këto ditë duke dërguar mjekë në Itali për të kontribuar në shërimin e pacientëve të sëmurë nga virusi Covid-19.

Disa ditë më parë një avion i Guardia di Finanza u ngrit nga aeroporti “Nënë Tereza” i Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë, duke transportuar një ngarkesë të çmuar drejt aeroportit ushtarak italian “Pratica di Mare”: 30 “engjëj” me rroba të bardha, 10 mjekë dhe 20 infermierë që kryeministri Edi Rama kishte zgjedhur për të ndihmuar Italinë e shkatërruar nga urgjenca e Covid-19, shkruan gjenerali italian, Fabrizio Lisi.

“Tani, e dashur Shqipëri, na takon neve të themi faleminderit për këtë shenjë mirënjohjeje, miqësie dhe njerëzillëku të madh”, ka kshkruar gjenerali italian.

Lisi është shprehur i emocionuar për ndihmën e dhënë nga Shqipëria përmes mjekëve të dërguar në Itali, për ndihmën ndaj virusit vdekjeprurës Covid-19.

“Çfarë emocioni të shohësh ata mjekë të rinj që mbërrijnë në Itali, krejt tjetër gjë nga prindërit e tyre të frikësuar apo të hutuar, përkundrazi me sytë plot forcë, guxim dhe zemërgjerësi”, tha ai.

Ai nuk ka harruar të falënderoj kryeministrin Rama që e njeh nga viti 1997, kur gjenerali atë kohë ishte shef i misionit “Guardia di Finanza”.

“Faleminderit kryeministri Rama, në emër të të gjithë ne italianëve. Faleminderit edhe nga unë, që isha në bordin e avionit në 1997, si shef i Misionit të Guardia di Finanza; që përshkova detrat dhe fluturova mbi qiellin e Shqipërisë; që prita refugjatët në kampet e Mbrojtjes Civile dhe Kryqit të Kuq italian; që kam punuar për një kohë të gjatë edhe në vitet në vijim (dhe që akoma e bëj), së bashku me autoritetet tuaja, policinë tuaj dhe njerëzit tuaj, aq fisnikë dhe të mëdhenj në shpirt. Faleminderit”, ka përfunduar gjenerali Lisi.