Gjenden të fshehur eshtrat 11 foshnjave në një ndërtesë funeralesh në Detroit

Gjatë muajit prill, kur shtëpia e vjetër e funeraleve “Cantrell” në Detroit u pastrua, njerëzit menduan se ngjarje më të tmerrshme nuk do mund të kishte.

Inspektorët shtetërorë hynë në ndërtesën që gjendet në Detroitin lindor një ditë të prillit dhe gjetën dy trupa të rriturish me myk, raporton “Detroit Free Press”. Fytyra e një të treti ishte e mbuluar me një lëng të çuditshëm. Ata ishin futur në një garazh pa frigorifer dhe kishin qëndruar aty për javë apo muaj.

Raymond Cantrell, që kishte marrë nën pronësi biznesin vitin e kaluar, i kishte thënë televizionit “Fox 2 Detroit” se i kishte mbajtur trupat aty derisa familjet e tyre të gjenin para për të paguar për funeralet e tyre – “një favor”, siç thoshte ai. Shteti nuk u pajtua, dhe e mbylli ndërtesën, transmeton Koha.net.

Objekti nuk u hap më. Por më vonë, u flit se objekti kishte një pronar të ri që po synonte ta kthente atë në një qendër komuniteti, raportoi “Detroit News”. Fqinjët panë ekipe punuese që hynin e dilnin nga objekti, që rregullonin dyshemetë dhe muret.

Ndërsa të premten që lamë pas, inspektorët u kthyen në këtë ndërtesë.

Ata pranuan një letër anonime po atë ditë, u tha togeri Brian Bowser gazetarëve jashtë shtëpisë së funeraleve pasi policia e Detroitit e rrethoi objektin për të dytën herë nga prilli.

Letra përmbante udhëzimet, tha një zyrtar policor. Ajo i çoi inspektorët në një hapësirë “të fshehur” në një tavan më të ulët – vend aq i fshehur saqë askush nuk do të mund t’i gjente po mos t’i kishin udhëzimet, tha Bowser.

Brenda asaj pjese ishte një pako kartoni dhe një arkivol. Arkivoli përmbante dy foshnje të vdekura. Ndërsa në pako ishin edhe nëntë tjerë, të mbështjellë me qese bërlloku.

“Ishin mbetje shumë të vogla”, tha Bowser.

Inspektorët lajmëruan Policinë, dhe të premten mbrëma ata provuan të kontaktonin Cantrellin për ta pyetur për 11 bebet e vdekura në tavanin që dikur ishte i tiji – për të zbuluar nëse ky ishte një “favor” tjetër i tij për klientët e tij që s’kishin para.

Dyshohet se 11 trupat e pajetë ishin të foshnjave të porsalindura.