Zëvendëskryeministri shqiptar në Qeverinë e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka thënë se ekzekutivi malazez ku ai bënë pjesë është një partner euroatlantik dhe i besueshëm i NATO-s dhe në këtë proces, “si shteti i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian, është i vendosur të përmbushë të gjithë hapat e nevojshëm dhe të marrë pjesë në të gjitha nismat rajonale që synojnë afrimin me tregun e Bashkimit Evropian”.
Këto komente, Gjeloshaj i bëri në Forumin Ekonomik të Vjenës të hënën, në me temën “Dialogu i Vjenës për të Ardhmen”, i cili bashkon vendet e Evropës Juglindore dhe Azisë Qendrore me qëllim të promovimit të zhvillimit ekonomik, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit.
Gjeloshaj, siç njofton zyra e tij, ka nënvizuar se Mali i Zi është “fuqishëm” i përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe shumëpalësh dhe “për të mbështetur përpjekjet e përbashkëta që synojnë prosperitetin ekonomik dhe një qarkullim më të lehtë të mallrave dhe njerëzve në Ballkanin Perëndimor”.
Ndër prioritetet e qeverisë së 44-të malazeze, ministri i Zhvillimit Ekonomik theksoi një strategji të re për rritje të qëndrushme ekonomike dhe futjen e zgjidhjeve inovative si ekonomia dixhitale dhe e gjelbër, “të cilat janë kyçe për përmirësimin e proceseve të prodhimit dhe kushteve të jetesës”.
“Nëpërmjet arritjes së stabilitetit fiskal, Qeveria e Malit të Zi është e vendosur të përfitojë nga tranzicioni i gjelbër dhe dixhital, duke forcuar konkurrencën duke forcuar lidhjet tregtare, e cila është thelbësore për të ushqyer sektorët ekonomikë me vlerë më të madhe të shtuar”, ka theksuar ai.
Në margjinat e Forumit Ekonomik të Vjenës, Gjeloshaj është takuar me komisionerin evropian për ekonomi, Paolo Gentiloni.
“Komisioneri evropian theksoi se Mali i Zi është vendi më i avancuar për sa i përket reformave të arritura dhe kapitujve të hapur të negociatave. Me atë rast ata theksuan rëndësinë e integrimit të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE”, thuhet në njoftim.
“Ata theksuan gjithashtu domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik brenda vetë rajonit. Në fund, u konstatua se Qeveria e Malit të Zi është një partner kredibil dhe se do të marrë pjesë aktive në të gjitha nismat rajonale që synojnë ta afrojnë vendin me tregun dhe standardin e BE-së”, potencohet në njoftimin e qeverisë malazeze.







