Gjashtë shtete evropiane shmangin sanksionet amerikane, vazhdojnë tregtinë me Iranin

Franca, Anglia dhe Gjermania e mirëpritën anëtarësimin e Belgjikës, Danimarkës, Finlandës, Holandës, Norvegjisë dhe Suedisë në mekanizmin për shkëmbime tregtare “Instex”, i cili është formuar me qëllim të shmangies së sanksioneve amerikane sa i përket tregtisë me Iranin.

“Si aksionarë themelues të Instrumentit për Përkrahje të Shkëmbimeve, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar e mirëpresin ngrohtësisht vendimin e marrë nga qeveritë e Belgjikës, Danimarkës, Finlandës, Holandës, Norvegjisë dhe Suedisë për t’u bashkuar në Instex si aksionarë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tri shteteve themeluese të këtij mekanizmi.

“Instex” funksionon me bazë në Paris dhe ia mundëson Iranit shitjen e karburanteve dhe importimin e prodhimeve ose shërbimeve të tjera në këmbim të naftës. Sidoqoftë, asnjë transaksion nuk është kryer ende në bazë të këtij sistemi.

Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja mes Iranit dhe fuqive botërore për programin bërthamor të republikës islamike dhe i ktheu në fuqi sanksionet kundër Tehranit.

Në deklaratën e fuqive kryesore evropiane gjithashtu u tha se shtimi i gjashtë anëtarëve të rinj e forcon edhe më tej mekanizmin “Instex” dhe i dëshmon përpjekjet e Evropës për ta lehtësuar tregtinë legjitime mes BE-së dhe Iranit.

Pavarësisht zotimit për zhvillim të tregtisë, këto vende theksuan përsëri se Irani menjëherë duhet t’i kthehet respektimit të plotë të marrëveshjes bërthamore, e cila ishte nënshkruar në vitin 2015, shkruan “The Guardian”