Gjashtë gola në përballjen e gjigantëve

Gjashtë gola janë shënuar në ndeshjen mes Anglisë dhe Gjermanisë. Ndeshja nuk ka dhënë fitues, përfundoi 3:3.

Ishte ndeshja e fundit në kuadër të Grupit 3 të Ligës A në Ligën e Kombeve.

Më herët është ditur që Anglia do të mbetet e fundit dhe që edicionin e ardhshëm do të luaj në Ligën B. Ndërkohë Gjermania ishte pa gjasa për ta fituar grupin dhe kështu të kalonte në fazën finale.

Gjermania përfundoi e treta me shtatë pikë, ndërsa Anglia e katërta me tri pikë.

Të gjithë golat në ndeshjen në “Wembley” u shënuan në pjesën e dytë.
Ilkay Gundogan shënoi nga penalltia në minutën e 52-të për epërsinë 1:0 të Gjermanisë. Kai Havertz shënoi për 2:0 në minutën e 67-të.

Më pas ishte radha e Anglisë. Luke Shaw shënoi në minutën e 71-të e pas tij Mason Mount në minutën e 75-të realizoi për 2:2. Kapiteni Harry Kane konkretizoi penallti në minutën e 83-të për rezultatin 3:2. Por Havertz ia doli të barazoi shifrat në minutën e 87-të. Ai shfrytëzoi një gabim të rëndë të portierit të Anglisë.