Kryediplomatja

Gërvalla zhvillon takime me zyrtarë të shteteve të ndryshme, i njofton për sfidat e situatës së sigurisë

Në takime të ndara, në përfundim të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla u takua me zëvendëskancelarin gjerman, Ministër i Ekonomisë, Robert Habeck, zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, Dita Charanzova, deputeten e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns si dhe këshilltaren për Evropë, marrëdhënie ndërkombëtare dhe demokraci, e zëvendëspresidentes së SHBA-ve, Robin Brooks.

Gjatë këtyre takimeve, Ministrja Gërvalla i njoftoi zyrarët rreth proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, duke përfshirë sigurinë.

“Të tilla takime i shfrytëzova për t’i falënderuar ata, shtetet, përkatësisht institucionet e tyre, për mbështetjen ndaj Kosovës dhe i sigurova që Republika jonë qëndron afër aleatëve të saj, duke shënuar rezultate të ndjeshme në demokratizim, sundim të ligjit, liri të mediave e zhvillim ekonomik, shembull edhe për shtetet e rajonit”, ka shkruar ajo.

VIDEO BONUS: Kurti: Me SHBA-në jemi partnerë, por s’pajtohemi çdoherë