Gentrit Salihu nga Besa e Pejës kalon te Porto

Ish-futbollisti i Besës së Pejës, Gentrit Salihu, i është bashkuar skuadrës së Portos, në grupmoshën U19.

Mesfushori defensiv ka nënshkruar kontratë dhe do t’i bashkohet skuadrës së drejtuar nga Jose Tavares.

Lajmi është bërë publik në faqen zyrtare të Portos.

“Është ndjenjë e shkëlqyer. Porto është klubi më i madh në Portugali. Mezi pres të filloj e të luaj”, ka thënë Salihu për faqen zyrtare të Portos.

“Synimi im këtë sezon është që ta ndihmoj skuadrën e Portos të ketë suksese dhe shpresoj që ta fitojmë Ligën e Kampionëve për të rinj. E di se të rinjtë e Portos e kanë fituar këtë garë në vitin 2019 dhe shpresoj që ta përsërisim atë, në vitin 2021. Unë punoj shumë çdo ditë dhe jap më të mirën për shkak se shpresoj që të arrijë sukseset të cilat i kam ëndërruar”, përfundoi Salihu që do ta bart fanellën me numrin gjashtë.

Salihu shkëlqeu në edicionin e kaluar në elitën e futbollit të Kosovës. Luajti në 29 ndeshje, shënoi dy gola dhe pati një asistim.

Salihu në Portugali u prit nga Antonio Frasco, ish-mesfushori i kësaj skuadre, që e barti fanellën “kaltërebardhë” për një dekadë, dhe tani është asistent te grupmosha U19 e gjigantit portugez, Porto.

“Ai duhet ta kuptojë se ka arritur te një klub me kërkesa të mëdha dhe me dimension të gjerë në botën e futbollit, në gjithë botën. Natyrisht, jemi këtu për t’i ndihmuar që ai të integrohet sa më lehtë në skuadër dhe jam i sigurt se kjo do të ndodh. Do ta përkrahim pasi kjo është rruga e klubit tonë. Gjëja e parë që do t’ia mësojmë është që ta respektojë gjithmonë simbolin e Portos, brenda dhe jashtë fushës së gjelbër. Do ta ndihmojmë atë që të zhvillohet me vlera dhe potencial të plotë”, ka thënë ndër të tjerash trajneri asistent, Antonio Fransco.