Çështja e demarkacionit me Malin e Zi është rikthyer si temë ditë më parë nga kryeministri Albin Kurti.
Kurti deklaroi se po e pret ardhjen e Qeverisë së re në Mal të Zi për ta trajtuar çështjen e korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
E lidhur me rikthimin e kësaj çështje në njëvjetorin e Qeverisë Kurti, Demokracia.com e ka pyetur nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin.
Muhaxheri ka deklaruar se asnjë centimetër tokë nuk është prekur në Komunën e Pejës dhe vetëm ata që kanë nevojë të luftojnë me “mullinjtë e erës”, e kanë bërë çështje këtë.
“Kjo nuk është temë për hiç kurgjo. Asnjë centimetër tokë nuk është prekur e Komunës së Pejës. Vetëm ata që kanë nevojë të luftojnë me “mullinjtë e erës”, e kanë bërë këtë çështje, sepse tjetërkujt nuk i vyen kjo”, ka deklaruar Gazmend Muhaxheri për Demokracia.com.
I pyetur se kujt po i konvenon rihapja e çështjes së demarkacionit me fqinjin tonë, Malin e Zi, Muhaxheri është shprehur se për këtë temë duhet pyetur ata që e kanë rihapur.
“Nuk e di se kujt po i konvenon kjo temë. Duhet të pyetën ata që po e rihapin këtë”, është shprehur Muhaxheri.
Përkundër që krejt pretendimet e nivelit qendror për humbje të territorit i referohen humbjeve në territorin e Komunës së Pejës, kjo komunë asnjëherë nuk kishte pretenduar se i ishte cenuar prona dhe territori.
Rikthimin e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi nga ana e kryeministrit Kurti, shumë analistë e kanë cilësuar si nevojë të tij për të krijuar temë politike dhe zhvendosur debatin nga dështimet njëvjeçare të qeverisjes së tij.







