Gazetarët i zbulojnë shënimet e Luis Enriques, pas humbjes nga Anglia

Të pakoordinuar, gabime individuale dhe duke mos e mbuluar mirë Sterlingun, janë disa nga vërejtjet që i ka shkruar përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique, për futbollistët e tij.

Të gjitha këto, trajneri i Spanjës i kishte shkruar gjatë pjesës së parë, derisa Spanja ishte duke pësuar 0-3 nga Anglia, raporton televizioni spanjoll “La Sexta”, transmeton KTV.

Vërejtja e parë është presingu i pakoordinuar, që vazhdon me mungesën e mesfushorëve, gabimet individuale, pozicionimin e krahëve dhe mbulimi jo i mirë i Sterlingut, vërejtje këto që i ka incizuar televizioni, e që i kishte shikuar Luis Enrique.

Aty është i vizatuar edhe sistemi i lojës 3-4-3, që në pjesën e dytë ndryshoi në 4-3-3, dhe Spanja shënoi dy herë.

Por, disfata ishte e rëndë për të dhe Spanjën. Stuhia e Kuqe nuk ka pranuar kurrë në shtëpi tre gola, nuk ka pësuar humbje si vendës në 15 vjetët e fundit dhe nuk mposhtej nga Anglia që nga viti 1987.