Ka disa javë që portali i njohur kosovar Insajderi ka probleme në funksionim. Kjo për shkak të dy personave që pretendojnë se ishin pjesë e këtij portali. Ata dy persona e kanë marrë në menaxhim Insajderin pa ndonjë vendim të drejtësisë. Përveç kësaj, ata kanë filluar të publikojnë edhe disa shkrime kundër pronarëve të këtij portali, Parim Ollurit dhe Vehbi Kajtazit.
Lidhur me këto sulme ka filluar reagimi i gazetarëve dhe opinionistëve të njohur kosovarë. Bëhet fjalë për Valon Sylën dhe Arben Ahmetin.
“Insajderi është sulmuar nga dy persona, që njihen si vëllezërit Alaj, që e kanë marrë drejtësinë në duart e tyre duke sabotuar asetet e kësaj medie. Çdo sulm, sabotim dhe diskreditim i tyre në publik është presion medial, dhe krim ekonomik me tendenca dhe prapavi edhe politike. Presim të ndërhyjë sa më shpejtë drejtësia dhe të ndalet kjo dukuri e cila po duket më shumë si shantazhim se sa si kërkim për drejtësi. Në këtë kompani punojnë mbi 40 gazetarë dhe puntorë medial, të cilët poashtu janë viktimë në këtë veprim të njëanshëm të disa IT personave që lidhje me media, drejtësi dhe nderë nuk paskan”, ka shkruar Syla.
Në anën tjetër, Arben Ahmeti thotë se kolegët e Insajderit, Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri janë pre e një fushate me qëllim të keq dhe përpjekje për diskreditimin e tyre.
“Sado që e proklamuar si skandal që do t’i fundoste, në fakt po del të jetë një kurth qesharak në të cilin të shtyrë nga kushedi çfarë adresa kanë rënë vetë Florim e Ardian Alaj, duke e uzurpuar pronën e Insajderit që është kompani e Parim Ollurit e Vehbi Kajtazit (shih arbk sic). Këta dy djem po e marrim përgjegjësinë për këtë akt të shëmtuar që krahas veprës penale paraqet edhe sulm ndaj gazetarisë.
Pretendimet për hise bahen në gjykatën civile e jo duke e uzurpuar pronën e duke u munduar të tregojnë gjera që nuk i shërbejnë interesit publik. E di qe Parimi e Vehbia me punën e tyre profesionale kanë bërë që shumë njerëz andej e këndej t’i fërkojnë duart këto ditë me shpresën që “e hangrën”.
Përtej emocioneve të tilla i bëjë thirrje secilit kolegë ne media që të reagojnë dhe ta ndalim fenomenin kur persona te ndryshëm vijnë na e uzurpojnë median e me shantazhe provojnë që me e kape një grusht pare dhe me na denigruar publikisht. Prokuroria duhet te reagoj shpejt. #MeInsajderin”, ka shkruar Ahmeti. /Ballkani.info/







