Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbia nuk ka nevojë për bazat ushtarake të askujt, dukej mjaft e përmbajtur dhe u perceptua si synimi i tij për të mos shtyrë temën e bazës ushtarake ruse nga njëra anë dhe për të mos prishur marrëdhëniet me Moskën nga ana tjetër, vlerëson gazeta ruse e afërt me pushtetin, Kommersant.
Gazeta shton se Vuçiq në këtë mënyrë sqaroi një pyetje që shqetësoi shumë në Serbi dhe jashtë saj – nëse Rusia do të ndërtojë bazën e saj ushtarake në territorin e Serbisë. Ekzistenca e planeve të tilla në Serbi është diskutuar pas deklaratës së ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Boçan-Kharçenko, të cilën ai e bëri në fillim të javës së kaluar, kujton gazeta, transmeton Ballkani.info.
Deklarata e ambasadorit bëri shumë bujë në Serbi. Shumë media dhe ekspertë serbë fajësuan menjëherë Rusinë për “minimin e qëllimshëm të interesave të Serbisë duke përhapur informacione për bazën ushtarake ruse në një kohë kur ajo është nën vëmendjen e madhe nga Perëndimi në lidhje me formimin e një qeverie të re dhe vendimin për t’i vënë sanksione Rusisë, shton gazeta.
Burimet e Kommersant në Beograd, të cilët, thonë ata, janë të njohur me qëndrimin e autoriteteve serbe, i shpjegojnë deklaratat e kujdesshme të presidentit me bashkëpunimin e intensifikuar ushtarak të Serbisë dhe SHBA-së, kryesisht në bazën ushtarake “Jug” afër Bujanocit në jug të vendit.
Është interesante se deklarata e ambasadorit rus, e cila bëri kaq shumë zhurmë në Serbi, pasoi vetëm një javë pas deklaratës së presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, për politikën e Beogradit zyrtar, shkruan gazeta dhe citon atë të Aleksandër Lukashenkos se Serbia do të donte të ulet në tre karrige – BE, SHBA, Rusi, por se “nuk do të jetë më e mundur”.
“Në Serbi, këto fjalë u vlerësuan pothuajse unanimisht si një ftesë për Beogradin për të marrë anën e Moskës në konfrontimin aktual gjeopolitik, të cilin ajo e dërgoi përmes aleatit të saj bjellorus”, thotë Kommersant.
Gazeta citon fjalët e ekspertit të politikës së jashtme, ish-ambasadorit në Bjellorusi, Sreçko Gjukiq, se autoritetet serbe duhet ta kishin kuptuar shumë kohë më parë se nuk mund të ulen në tre karrige për një kohë të gjatë dhe të udhëheqin politikën e strucit për të varrosur kokën në rërë, sepse nuk do të funksionojë në asnjërën anë.
“Megjithatë, Gjukiq beson se në muajt e ardhshëm nuk ka gjasa që ndryshimet kardinale në një politikë të tillë të Beogradit të jenë reale – derisa karriget të fillojnë të ndahen”, shton Kommersant. /Ballkani.info/







