Gazeta kroate e habitur me vendimin e UEFA-s: A do të luajë edhe Kosova kundër Bjellorusisë në Serbi?

UEFA e ka konfirmuar se ndeshja e parë e Bjellorusisë kundër Zvicrës së Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024 do të zhvillohet në Novi Sad të Serbisë.

Ky është vendimi i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), pasi Bjellorusia është nën sanksione për shkak të mbështetjes së Rusisë në luftën me Ukrainën dhe nuk mund të luajë ndeshje në shtëpi.

Bjellorusia do të ketë punë në grup edhe me Kombëtaren e Kosovës.

Në lidhje me ndeshjen Bjellorusi – Zvicër që do të luhet në Novi Sad, gazeta e madhe kroate “Jutarnji.hr” ka shkruar se “a do të luajë në Serbi edhe Kosova”, pasi që është në të njëjtin grup me Bjellorusinë.

“A është e mundur? Zvicra ndeshjen e radhës do ta luajë në Serbi! – Në rregull, Bjellorusia nuk mund të luajë në shtëpi. A do të luajnë edhe në Serbi me Kosovën që është në të njëjtin grup?” – ka shkruar gazeta kroate.

Bjellorusia dhe Kosova do të ballafaqohen më 19 qershor nga ora 20:45, sipas orarit të publikuar në uebfaqen e UEFA-s.

Megjithatë, stadiumi ku zhvillohet takimi nuk është bërë i ditur ende.